Wednesday, July 25, 2007

PRESIDENCA: ÇELËSI I SUKSESIT TË TOPIT!







Më në fund Shqipëria e gjeti presidentin e saj dhe telenovela e stërgjatur mori fund këtë të Martë kur Presidenti i ri Bamir Topi mori në dorëzim kushtetutën e vendit nga ish presidenti Moisiu. Uuuuuuufffffffff! Tani të gjithë mund të marrim frymë thellë dhe populli mund të përqëndrohet në sfidat e vështira të jetës shqiptare, tek dritat, uji, punësimi, shëndetësia e tek një mijë e një të këqijat që e rrethon atë përditë. Nuk duhet harruar se përgatitjet shpirtërore dhe ankthi i popullit shqiptar për zgjedhjen e presidentit filluan që pas zgjedhjeve lokale të Shkurtit, kur në mesin e mjegullës së shpalljes së rezultateve zgjedhore, klasa politike shqiptare ndezi motorët e prodhimit të thashethemeve rreth kandidatit të ardhshëm për president dhe mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme. Fundi i fundit nuk mund t’i fajësosh politikanët. Devijimi i vëmendjes së popullit nga problemet reale tek flluskat e argumentit politik është teknikë e vjetër politike që tashmë është bërë ‘a la mode’ në Shqipëri. Harro dritat dhe mendo për presidentin! Ky është mesazhi që trumbeton në veshët e qytetarëve prej kohësh dhe që dëshmon qartë për kalbëzimin e cilësisë së politikë-bërjes Shqiptare. Dhe ky kalbëzim u pa haptaz edhe javën e kaluar në parlament. Shqipëria zgjodhi Presidentin e duhur, por në mënyrë të shëmtuar. Duhet theksuar se Bamir Topi ishte kandidati i preferuar i popullit e jo i shumicës së parlamentarëve. Sipas sondazhit të realizuar në Qershor 2007 nga ESI dhe Instituti Agenda, në rastin e një zgjedhjeje popullore, 34% e qytetarëve do të votonin Topin për President, mbi Moisiun, Nanon dhe Godon. Gjithashtu sipas të njëjtit sondazh, niveli i besimit tek institucioni i Presidencës nga qytetarët është shumë më i lartë se sa tek bashkia, policia, qeveria apo drejtësia. Këto të dhëna reflektohen edhe nga sondazhi i NDI apo pyetësorë të tjerë të realizuar nga platformat mediatike. Pra është e qartë se Bamir Topi ishte i preferuari i popullit dhe se ardhja e tij në detyrën e kreut të shtetit do e përballë atë me një nivel të lartë të besueshmërisë ndaj institucionit që drejton. Parë nga ky këndvështrim, sfidat e Presidentit Topi do të jenë gjigande dhe testuese për pastërtinë politike që ai ka reflektuar gjatë viteve të fundit.

Sfida më e madhe e presidencës padyshim do të jetë influenca që Topi duhet të ushtrojë për t’a pastruar sadopak politikën shqiptare nga fenomeni i shëmtuar i pazarit politik, pjellë e të cilit në mënyrë ironike ishte edhe vetë zgjedhja e tij. Tashmë nuk është më thashethem se paçka se ishte kandidati i duhur, Z. Topi triumfoi si produkt i një pazari djallëzor dhe se Presidenca iu ‘dhurua’ nga Fatos Nano dhe 6 deputetë-lëpirësit e tij, të cilët ‘respektuan’ kushtetutën dhe shmangën rrëshqitjen e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme…’për hir të kombit’. Asnjëri prej nesh nuk i donte zgjedhjet e parakohshme, por njëkohësisht nuk donim as institucionalizimin e pazarit politik si vlerë parlamentare. E pra kjo e fundit ndodhi, dhe jo për faj të Topit, por si produkt i natyrshëm i klimës konfliktuale që mbizotëron në politikën shqiptare. Refuzimi i pakuptueshëm i opozitës për t’u futur në parlament si dhe kokëfortësia e mazhorancës për të gjetur një kompromis, çuan në krijimin e kushteve të përshtatshme klimateripolitike, ‘lagështirën’ e nevojshme prej nga mbiu kërpudha e pazarit që shpëtoi vendin nga zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhja e presidentit këtë radhë ndryshon nga ajo e kaluara - Shqipëria e zgjodhi presidentin e saj në mënyrë kushtetuese por jo konsensuale, me tregëti deputetësh por jo me votë të shëndetshme parlamentare. Nuk ka si të mos jetë ndjerë ngushë Z. Topi në mes të emocioneve të betimit. Këtu pra, tek kundërshtimi i pazareve dhe rigjetja e konsensusit të humbur politik qëndron edhe çelësi i suksesit të Topit si President.

Bamir Topi njihet si një parlamentar që i është shmangur gjithnjë sulmeve të ulta personale duke u përqëndruar në gjetjen e një pike të përbashkët mes të dy palëve. Kjo i ka dhënë atij imazhin e një politikani me integritet dhe të moralshëm. Për këtë arsye e kishte të sigurt edhe votën popullore. Pra në këtë pikë, ai ka përvojën e duhur dhe besueshmëri të mjaftueshme për të filluar proçesin e pajtimit politik. Mazhoranca dhe opozita nuk kanë nevojë të bien dakort për çdo gjë. Përkundrazi, ato përfaqësojnë krahe të kundërta të spektrit politik. Kjo është mëse normale në një demokraci. Por debati mes tyre duhet bërë vetëm mbi platforma kushtetuese, profesionale dhe etike, duke iu larguar gradualisht mediokritetit të sulmeve personale. Në këtë rast, Presidenca mund të kthehet shumë mirë në një institucion arbitrar dhe nxitës për politikë-bërjen shqiptare, duke inkurajuar profesionalizimin e funksionimit të saj. Duke matur pulsin e popullit dhe shqetësimeve kryesore të qytetarëve, Presidenti mund të sigurojë orientimin e politikës drejt çështjeve me rëndësi duke tentuar mënjanimin e krizave kronike që kanë marrë peng vendin. Moisiu e tha bukur në fund të mandatit të tij se ‘politikanët shqiptarë kakarisin si pulat’. Topi i ka të gjitha shanset për të ulur ndjeshëm nivelin e ‘kakarisjes’ dhe për të përmirësuar cilësinë e debatit publik. Për t’a arritur këtë, Presidentit do t’i duhet të bashkëpunojë afër jo vetëm me klasën poltike, por edhe me aktorët e shoqërisë civile, spektrin mediatik dhe me elementët intelektualë të diasporës, duke mundësuar kështu moralitetin e argumentit të tij politik. Sot, Bamir Topi gdhihet President i Republikës së Shqipërisë, vendit të bukur pa drita, me burime plot në male e pa ujë në shtëpira, anës vijës së BE-së dhe pa standarte brenda saj, me trurin e rrjedhur jashtë e me injorancën politike brenda që e ka bllokuar totalisht zhvillimin e tij socio-ekonomik. Vetëm duke lënë pas afilimin e tij partiak të të kaluarës dhe duke adresuar çështjet jetike të vendit, Bamir Topi do mund t’i sigurojë mandatit të tij presidencial kredibilitetin dhe integritetin e nevojshëm për të dalë mbi natyrën konfliktuale të politikës së ndryshkur shqiptare.

1 comment:

Alban Bytyci said...

Well versed Ralf.
You seem to have captured the issue from multiple angles and pinpointed well the problem, though, I think kakarisja imorale e politikaneve vetanake e turp-plote shqiptare is to stay for another decade or so.