Wednesday, June 24, 2009

Tre mesazhet e ‘foshnjërisë’ aktuale politike


Çfarë donte t’u komunikonte Edi Rama qytetarëve shqiptarë përmes talljes që ai i bëri ftesës së Ilir Metës për t’u ulur në tryezën e opozitës këtë javë?


Ndërsa Z. Meta ndërmori hapin e një ftese institucionale për të gjithë faktorët e së majtës, me qëllim që të krijohej një frymë pozitive e bashkëpunimi përpara zgjedhësve shqiptarë, Z. Rama u përgjigj po institucionalisht se Z. Meta duhet të votojë Partine Socialiste. Kjo fyerje jep tre mesazhe kryesore para qytetarëve shqiptarë.


Mesazhi i parë është se lideri i PS është tejet i papërgjegjshëm në lëvizjet e tij politike. Fatos Nano e cilësoi këtë lëvizje të fundit si ‘foshnjarake’, dhe jo pa të drejtë. Në një moment kaq historik që po kalon Shqipëria, dhe kur shumica e elektoratit të majtë preferon një bashkim të të gjithë të majtës për të mos lejuar vazhdimësinë e qeverisjes Berisha, Edi Rama preferon të bëjë humor duke futur në punë megafonët e cinizmit të tij. Ky diletantizëm politik do të ishte i paimagjinueshëm në një demokraci të konsoliduar perëndimore. Në Europë, atje ku duam të integrohemi eventualisht, një ftesë bashkëpunimi serioze e një subjekti politik ndaj një tjetri nuk do të përballej kurrë me një përgjigje humoristike, pikërisht sepse atje, kaq larg nesh, egziston kodi i etikës së përgjegjshmërisë politike, të paktën në planin mediatik.


Mesazhi i dytë, ka të bëjë me mosperfaqësimin e interesave të qytetarëve nga ky drejtues partie që u kërkon votën atyre për t’u bërë kryeministër. ‘Leximi’ që i bëhet përgjigjes së munguar serioze ndaj ftesës së bashkëpunimit, duhet parë në kontekstin e rolit që luan qytetari në botëkuptimin e Z. Rama dhe të rrethit të tij të ngushtë. Refuzimi i ftesës çon në llogjikën se për liderin e PS-së, qytetari është thjesht një element i një audience të gjerë, e cila para dy ditësh pritej të qeshte me të madhe, sikur do ishte duke parë Çanin në një stand-up-show. Parë nga këndvështrimi analitik i fushës së komunikimit, tragji-komedia që ofroi Rama në këtë rast jep mesazhin e liderit që kërkon të bëhet kryeministër përmes talljeve dhe jo programeve, përmes injorimit dhe jo bashkëpunimit, përmes kokëfortësisë dhe jo dinakërisë politike apo aftësisë negociuese që karakterizon politikanët e mëdhenj europianë e amerikanë apo edhe disa të tjerë, të paktë këtu në Shqipëri. Pra qytetarët shqiptarë e kuptuan qartë se duke bërë ftesë për bashkëpunim, Meta mbrojti interesat e zgjedhësve të majtë në pergjithesi ndërsa duke ftuar Metën të votojë nr. 33, Rama mbrojti qartazi interesat e ngushta personale dhe jo interesat e gjera të elektoratit të majtë.


Mesazhi i tretë i Ramës lidhet me ‘të renë’ e politikës që po i ofrohet shqiptarëve ne 2009. Ose që nuk po i ofrohet, më saktësisht. Shqipëria gjithnjë ka vuajtur prej mungesës së etikës së komunikimit dhe profesionalizmit në politikë. Gjatë 19 vjet demokracie eksperimentale, Shqiptarët nuk kanë parë ende një transferim dinjitoz të pushtetit pas zgjedhjeve, përveç ndoshta në 2005. Shqiptarët ende nuk kanë të drejtën e një debati të hapur mes kandidatëve kryesorë që kërkojnë të marrin frenat e vendit në dorë. Ata janë mësuar vetëm me mitingje elektorale, me sharje e akuza të panumërta e vetëm me cinizmin politik që e denigron gjithë qëllimin e bërjes së zgjedhjeve. Shqipëria jo vetëm që nuk ka realizuar ende zgjedhje me standarte europiane, por edhe politikanët e saj nuk kanë krijuar dot frymën e një etike profesionale e qytetarie mes tyre. Dhe parë brenda këtyre rrethanave historiko-politiko-shoqërore në të cilat ka kaluar Shqipëria këta 19 vjet, refuzimi i tryezës së opozitës, na sjell mesazhin e minimit të çdo mundësie për të sjellë një risi të re në politikë-bërjen shqiptare. Qytetari I thjeshtë me të drejtë ulëret: ‘o mik, po s’na the ndonjë gjë të re!’


Shqiptarët janë lodhur tashmë prej retorikave boshe elektorale, realitet që shihet qartë edhe nga mungesa e frymëzimit që lideri i PS-së duhet të kishte ngjallur tek shqiptarët si dhe tek epërsia elektorale që po vihet re tek fushata e PD-së ndaj asaj të PS-së. Dhe pikërisht në këtë moment kaq kritik dhe kyç në historinë e zgjedhjeve shqiptare, pikërisht në kohën kur hapet dritarja e bashkëpunimit të së majtës shqiptare, aq e shumë-dëshiruar prej pjesës dërrmuese të elektoratit, Edi Rama aktivizon instiktet e papërgjegjshmërisë politike duke mos i shërbyer interesit historik e afatgjatë të qytetarëve shqiptarë dhe duke e bërë të qartë se ai nuk ofron dot as imazhin e një politikani të ri në arenën e politikës shqiptare. Kështu ai legjitimizon imazhin e të majtës së përçarë dhe e mjergullon më tej paqartësinë e rezultatit që po karakterizon fushatën parazgjedhore. Kjo, i shërben vetëm Berishës!

No comments: