Wednesday, November 07, 2012

LSI – Obama fitore e merituar, sukses për demokracinë në botë.
 
Ralf Gjoni – Politika shqiptare ka nevojë për etikën e lartë politike amerikane.

Gjatë një interviste për Ora News, Sekretari Nderkombëtar i LSI-së Raf Gjoni shprehu kënaqësinë për mënyrën si u zhvillua fushata elektorale në SHBA, duke e cilësuar fitoren e Presidentit Obama, jo vetëm si një sukses të tij, por të të gjithë zhvillimit të demokracisë në botë.

Ralf Gjoni u shpreh se përshëndetja e ndërsjelltë mes dy kandidatëve pas rezultatit, është kulturë tashmë e mirë themeluar në një demokraci të konsoliduar si SHBA, ku humbësi i zgjedhjeve i shtrëngon dorën fituesit, duke i uruar suksese në punën e tij, dhe duke i lënë hapur edhe derën për bashkëpunim.

Gjoni tha: “Është një kulturë tejet e lartë demokratike, një etikë shumë e lartë politike... një etikë e munguar në Shqipëri, ku humbësi asnjëherë nuk e pranon humbjen, por gjithmonë mundohet të gjejë pretekste për të justifikuar humbjen e tij. Pra mendoj që është jo vetëm një traditë e mirë themeluar në Amerikë, por është edhe një shembull shumë i madh që duhet ndjekur nga e gjithë bota dhe veçanërisht nga klasa politike shqiptare, e cila ka jashtëzakonisht nevojë për një etikë më të lartë politike, për një qytetari më të madhe në politikëbërje dhe për një sens përgjegjshmërie kombëtare shumë më të madhe, ashtu siç kemi parë gjatë javëve të fundit dhe sidomos ditën e djeshme në SHBA”.

Ralf Gjoni shtoi se Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë gjithnjë për një etikë më të maturuar, më të pjekur të politikëbërjes në Shqipëri. “Gjithnjë kemi bërë thirrje për bashkëpunim. E kemi bërë këtë me besimin e plotë se klasa politike mundet të punojë së bashku. Bashkëpunimi politik, për ne si LSI, është një domosdoshmëri dhe duhet të jetë gjithnjë një praktikë në vazhdimësi, jo një praktikë sporadike që  e hasim ose e shohim vetëm atëherë kur miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë ndërhyjnë dhe të na shtyjnë përmes presionit ti puqin të dy palët bashkë, për të arritur marrëveshje të caktuara”. 

Ne si LSI po mundohemi fort që t’a institucionalizojnë kulturën e politikëbërjes qytetare dhe etike në Shqipëri, ndaj duhet të marrim shembull nga SHBA” përfundoi Gjoni.

Intervista e plotë në Ora News
Ralf Gjoni, Sekretar Ndërkombëtar, LSI

Si e gjykoni fitoren e Barack Obamës në zgjedhjet presidenciale në SHBA?

Së pari, është një sukses për demokracinë jo vetëm në Amerikë, por në të gjithë botën, sepse kemi parë një fushatë gjatë javëve dhe muajve të kaluar tejet të nxehur, shumë të fortë, betejë shumë të ashpër midis dy oponentëve, një shpenzim i jashtëzakonshëm, shpenzimi më i madh në historinë e zgjedhjeve të ndonjë vendi, rreth 6 miliardë dollarë janë harxhuar për këtë fushatë. Pra, është fitore e demokracisë së pari, para se të fitonte Barack Obama. Obama ishte rezultat i votës së popullit, pavarësisht marzhit tepër të ngushtë të fitores, avantazhit mbi Mitt Romney, por ishte një fitore e merituar dhe siç pritej. Unë e prisja në fakt që Barack Obama do të kishte një avantazh të lehtë për vetë historinë e 4 viteve të fundit, për vetë ato reforma që ai ka ndërmarrë gjatë këtyre 4 viteve, përballjen që i ka bërë krizës së madhe globale të paprecedentë që prej fillimit të shekullit të kaluar. Të gjitha këto ishin disa avantazhe që Obama i kishte në shportë, le ta themi kështu, para se të shkonte në zgjedhje dhe për të cilat u vlerësua edhe nga votuesit amerikanë, dhe që në fund i dhanë fitoren. 


Ashtu si Obama i cili ishte fituesi i zgjedhjeve, edhe Romney, mbajti një fjalim përshëndetës para elektoratit të tij, një kulturë shumë demokratike që bëri shumë përshtypje. Ai e hapi fjalimin e tij duke i dhënë urimet më të mira presidentit të sapo zgjedhur. Si e shikoni këtë kulturë kaq demokratike?

Së pari, nuk është ndonjë risi, është kulturë tashmë e mirë themeluar në një demokraci të konsoliduar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku humbësi i zgjedhjeve i shtrëngon dorën, në mënyrë figurative fituesit, duke i uruar suksese në punën e tij, dhe i lë hapur edhe derën për bashkëpunim. Mitt Romney u shpreh qartazi që ai do t’i lutet Zotit që presidenti Obama ta drejtojë vendin në këto kohë të vështira të krizës globale dhe përmes sfidave të mëdha më të cilat përballet Amerika sot. 

Është një kulturë tejet e lartë demokratike, një etikë shumë e lartë politike; dhe do të thosha një komunikim i denjë për vetë atë që përfaqëson populli amerikan, apo demokracia amerikane. Një etikë e munguar në Shqipëri, e munguar në shumë vende te tjera të botës, ku humbësi asnjëherë nuk e pranon humbjen, por gjithmonë mundohet të gjejë pretekste për të justifikuar humbjen e tij. Pra mendoj që është jo vetëm një traditë e mirë themeluar në Amerikë, por është edhe një shembull shumë i madh që duhet ndjekur nga e gjithë bota dhe veçanërisht nga klasa politike shqiptare, e cila ka jashtëzakonisht nevojë për një etikë më të lartë politike, për një qytetari më të madhe në politikëbërje dhe për një sens përgjegjshmërie kombëtare shumë më të madhe, ashtu siç kemi parë gjatë javëve të fundit dhe sidomos ditën e djeshme në SHBA.


Sa kohë do t’i duhet Shqipërisë të marrë shembull nga zgjedhjet në SHBA, duke qenë se edhe ambasadorët kanë apeluar në drejtim të klasës politike që të ndjekin shembullin e zgjedhjeve në SHBA?

Para se ta bëjnë thirrjen ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë thirrjen, e ka bërë prej kohësh populli shqiptar, i cili pritshmëritë nga klasa politike i ka shumë më të larta se nga vetë politikanët që e përbëjnë këtë klasë politike në Shqipëri. Nuk është çudi e madhe që në Shqipëri ka ende probleme të etikës së komunikimit dhe pranueshmërisë së rezultateve të zgjedhjeve sepse jemi një demokraci relativisht e re, 20 vjet demokraci. 

Nuk mund të fillojmë të krahasohemi me të gjitha segmentet e funksionimit të demokracisë amerikane që është një nga demokracitë më të vjetra dhe më të konsoliduara në botë, por mund të marrim shembull, mund të marrim mësime nga kjo demokraci dhe  mund të aplikojmë disa nga këto parime sidomos kur bëhet fjalë për etikën e praktikës së politikëbërjes në Shqipëri sidomos gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të cilat janë tepër problematike. 

Unë mendoj që klasa politike i ka kapacitet për të thithur një etikë të tillë komunikimi kaq të lartë nga Amerika por nuk ka vullnetin për ta vënë në punë këtë lloj etike sepse mendoj që klasa politike shqiptare, partitë politike në Shqipëri ende udhëhiqen nga interesat tepër të ngushta politike dhe personale duke lënë mënjanë interesat madhore të vendit, siç është edhe rasti për shembull në 100-vjetorin e pavarësisë. 

Eshtë e qartë që dhe thirrjet nga Sekretarja Clinton dhe nga vetë partnerët tanë ndërkombëtarë siç është Bashkimi Evropian dhe organizata të tjera, kanë qenë tepër të qarta dhe tepër miqësore, dashamirëse ndaj Shqipërisë, pra që duke treguar një vullnet pozitiv, një bashkëpunim pozitiv, ne do mund të kalojmë ato reforma dhe të miratojmë ato tre ligje të mbetura për të marrin statusin e vendit kandidat, për ti shërbyer vendit sa më mirë. Sepse duhet ndarë interesi i ngushtë i një partie politike apo disa partive politike të caktuara nga interesat madhore të vendit. Për këtë arsye unë mendoj që ky moment kaq i bukur, kaq pozitiv, kaq emocionues i zgjedhjeve në SHBA, le të shërbejë si një momentum shtytës edhe për ti dhënë një frymë më pozitive vetë politikës në Shqipëri.


 A është e mundur që ta realizojë bashkëpunimin politika shqiptare? 

Ne si LSI, siç edhe ju jeni në dijeni nga mediat dhe publiku shqiptar, gjithnjë  kemi qenë për një etikë më të maturuar, më të pjekur të politikëbërjes në Shqipëri. Gjithnjë kemi bërë thirrje për bashkëpunim, mjafton të hapni arkivat mediatikë dhe të shihni të gjithë deklaratat në vite të LSI-së, për sa i përket nevojshmërisë së bashkëpunimit politik sidomos në momente kyçe të vendit, në rrugëtimin dhe në përmbushjen e axhendës evropiane të vendit. E kemi bërë këtë me besimin e plotë se klasa politike mundet të punojë së bashku, dhe në momente kritike, shpesh herë dhe me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, e ka treguar se mund të ulet në një tryezë dhe mund të bashkëpunojë dhe mund të kalojë ato ligje apo ato reforma përmes një konsensusi të gjerë. Kjo nuk duhet bërë vetëm në disa momente specifike të zhvillimit të politikës në Shqipëri por duhet bërë në vazhdimësi. Politika duhet të bashkëpunojë gjatë gjithë kohës. Bashkëpunimi politik, për ne si LSI, është një domosdoshmëri dhe duhet të jetë gjithnjë një praktikë në vazhdimësi, jo një praktikë sporadike që  e hasim ose e shohim vetëm atëherë kur miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë ndërhyjnë dhe të na shtyjnë përmes presionit ti puqin të dy palët bashkë, për të arritur marrëveshje të caktuara. 

Kështu që në këtë kontekst, a është e mundur? Absolutisht që po! Ndryshe nuk do bënim thirrje, nuk do kishim besim se në politikë mund të arrinim zhvillime pozitive. Dhe po të shohim 20 vitet e kaluara në Shqipëri ka zhvillime pozitive. Politika nuk ka qenë ajo që ka qenë më përpara, vërtet ka konflikte, vërtet ka mos rënie dakord mes palëve, kjo është normale në një demokraci sepse në fund të fundit një demokraci në zhvillim kërkon edhe përplasje politike, por le të bëhen këto përplasje në emër të çështjeve madhore të vendit. Le të bëhen këto në platforma institucionale siç është Parlamenti, jo në rrugë siç ka qenë praktika gjatë dy-tre viteve të fundit. Shpresoj të jemi në rrugë të mbarë sepse gjatë muajve të fundit kemi parë disa shenja pozitive për sa i përket konsensusit për të arritur disa prioritete të nevojshme. 

Tashmë jemi edhe përballë dhënies së verdiktit nga BE-ja për statusin e vendit kandidat në rrugën drejt integrimit europian. 

Jo vetëm dhënie të verdiktit, por më tepër marrjes së vendimit nga vendet anëtare në dhjetor. Është e rëndësishme të kuptojmë që këto vende anëtare duhet të marrin një vendim. Secili vend anëtar merr një vendim që një vend si Shqipëria të jetë apo jo kandidat për anëtarësim, dhe si vendimmarrës, ata duhet të binden që këtu në Tiranë ka një frymë pozitive bashkëpunimi dhe ka një përqendrim të të gjithë klasës politike,veçanërisht partive kryesore, mazhorancës dhe opozitës për të arritur dhe për të përmbushur ato prioritete që janë kërkuar nga BE. Nuk kërkohet shumë dhe nuk e kuptoj përse përdoren kushte dhe kushtëzime. 

Më lejoni t’ju kujtoj etikën tepër të lartë të presidentit Obama. Ai, duke e kuptuar qartë se rezultati tepër i ngushtë është edhe një shenjë e përçarjes tepër të madhe që ekziston sot në SHBA, si një vend i ndarë me thikë, në dy kampe, duke kuptuar rëndësinë e kësaj përçarje të popullit dhe elektoratit amerikan, presidenti Obama bëri thirrje për sa më shumë bashkëpunim dhe propozoi që në javët në vazhdim të ulet bashkë me Mitt Romney-n për të parë se si mund të punojnë së bashku në interes të vendit sepse në fund të fundit SHBA, Evropa, por edhe e gjithë bota përballet me një krizë të paprecedentë globale e cila mund të zgjasë edhe deri në 4-5 vjet ndoshta, sipas disa analistëve. Për t’u bërë ballë këtyre sfidave, Obama i bën ftesë Romney-t për t’u ulur bashkë dhe për t’u konsultuar, pavarësisht se nuk është i detyruar ta bëjë këtë. Është një etikë e lartë qytetare e cila në Shqipëri ka munguar në histori, dhe ne si LSI po mundohemi fort që ta institucionalizojnë kulturën e politikëbërjes qytetare dhe etike në Shqipëri, ndaj duhet të marrim shembull nga SHBA.

No comments: