Tuesday, February 05, 2013

Presheva nuk është vetëm – Do të ndërtojmë maternitetin e Preshevës


LSI: Shqipëria duhet të vazhdojë linjën e saj konstruktive e evropiane, pavarësisht brutalitetit të Beogradit.

Gjoni: Serbia nuk po sillet si një vend kandidat për Bashkimin Evropian

Gjatë dy intervistave televizive për ABC News dhe News24, Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së, Ralf Gjoni u shpreh se akti brutal dhe i shëmtuar i Qeverisë Serbe për shembjen e Lapidarit të UCPMB-së në Preshevë është një akt i shëmtuar që tregon shenja albanofobie, racizmi dhe shenja shumë negative për zhvillimet në rajon. “Kjo sepse paqja dhe stabiliteti në rajon nuk vijnë nëpërmjet maskave apo kallashnikovëve, forcave policore, apo dhunës që ushtrohet në Luginën e Preshevës, - tha Gjoni – por përmes programeve të zhvillimit ekonomik të zonës dhe përfshirjes së shqiptarëve në administratën shtetërore".

Ralf Gjoni shprehu bindjen se Diplomacia shqiptare ka treguar pjekuri dhe konstruktivizëm në raport me fqinjët, dhe se ky konstruktivizëm ka rezultuar në një mirëqenie më të mirë për shqiptarët e rajonit sot, pavarësisht problemeve të herëpashershme.

Gjoni shtoi se reagimi brutal i Serbisë në Preshevë, të kujton kohët e shëmtuara të Miloshevicit, ndërkohë që shqetësimi më i madh mbetet situata e rënduar sot, që vjen pas disa vitesh zhvillimesh pozitive në rajon siç janë pavarësia e Kosovës, nisja e dialogut Kosovë-Serbi, heqja e vizave me Serbinë, etj.

Për sa i përket inciativave konkrete për Luginën e Preshevës, Ralf Gjoni tha se pas bisedimeve me Kryetarin e Komunës së Preshevës, “kemi rënë dakort të financojmë Maternitetin e ri të zonës, duke e futur këtë projekt në buxhetin e Qeverisë shqiptare. Vetëm duke ndihmuar mirëqenien e shqiptarëve të Preshevës, duke inkurajuar projektet infrastrukturore dhe të punësimit, dhe duke nxitur dialogun mes shqiptarëve dhe Qeverisë serbe, mund të shkojmë përpara në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”.

Gjithashtu, Ralf Gjoni tha se “në kontekstin e politikës ose përqasjes ndoshta më pozitive nga Tirana ndaj Beogradit, mendoj se Serbia nuk duhet të abuzojë me konstruktivitetin e Tiranës dhe faktet kanë treguar se pavarësisht linjës së Beogradit, Tirana ka vazhduar politikën e saj konstruktive. Sidoqoftë, Serbia nuk ka ditur t’a respektojë në maksimum dhe ta kthejë me reciprocitet këtë konstruktivitet të Tiranës, veçanërisht për sa i përket të drejtave të shqiptarëve atje, gjë që është sanksionuar edhe në Kushtetutën e Shqipërisë”.

Gjoni shprehu solidaritetin e LSI me banorët e Serbisë së jugut duke shtuar se "Presheva nuk është vetëm", dhe se LSI konsideron se kjo është një situatë e patolerueshme, e papranueshme, e cila nuk krijon një frymë mirëkuptimi dhe besimi midis shtetit serb dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Duke përfunduar, Sekretari Ndërkombëtar i LSI, u shpreh se drejtuesit e shqiptarëve në Preshevë duhet të tregojnë pjekuri dhe qetësi, ndërkohë që aktet e fundit të Beogradit, tregojnë se Serbia nuk po sillet si një vend kandidat për Bashkimin Evropian. Pavarësisht sjelljeve të papranueshme të Beogradit, Shqipëria, bashkë me partnerët e saj ndëkombëtarë, do të vazhdojë të veprojë në frymën evropiane që karakterizon politikën e saj të jashtme – përfundoi Ralf Gjoni.


Intervista në ABC News
Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së, Ralf Gjoni

Z. Gjoni si e komentoni heqjen e Përmendores së UÇPMB-së  në Luginën e Preshevës?

Ky akt, është në vazhdën e një politike disavjeçare të viteve të fundit dhe të ngjall kujtimet e shëmtuara të kohës së Millosheviçit dhe politikës së tij brutale ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës. Ky është një akt i shëmtuar që tregon shenja albanofobie, racizmi dhe shenja shumë negative për zhvillimet në rajon. Kjo sepse paqja dhe stabiliteti në rajon nuk vijnë nëpërmjet maskave apo kallashnikovëve, forcave policore, apo dhunës që ushtrohet në Luginën e Preshevës. Ne si LSI por edhe ministria e Jashtme e kemi ngritur vazhdimisht çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Së fundmi ishim të ftuar bashkë me Prof. Dr. Shezai Rrokaj në kongresin e PDSH-së në Preshevë. Na bëri përshtypje që në postën kufitare nuk kishte asnjë shqiptar të punësuar në administratën shtetërore. Gjithashtu as në administratën shtetërore të Serbisë në Preshevë, Bujanovc apo Medvegjë nuk ka asnjë lloj prezence punësimi.

Punësimi dhe zhvillimi ekonomik është rruga për të ecur përpara dhe për të siguruar një lloj paqeje dhe stabiliteti afatgjatë në rajon. Zgjedhja e Serbisë për të ndërhyrë ushtarakisht dhe në mënyrë të dhunshme është një lajm shumë i keq për sa i përket marrëdhënieve të shqiptarëve me shtetin e Serbisë. Me atë përmendore nuk vihet në diskutim integriteti territorial i Republikës së Serbisë por vihet në diskutim trajtimi i Beogradit ndaj këtyre qytetarëve. Beogradi vazhdon të mos i trajtojë shqiptarët e Luginës së Preshevës si qytetarë me të drejta të plota të Republikës së Serbisë. Dhe është mëse normale që për sa kohë Beogradi nuk i trajton ata si qytetarë me të drejta të plota, edhe këta e kanë shumë të vështirë të sillen si qytetarë të vërtetë të kësaj republike duke vënë në diskutim mënyrën e trajtimit të tyre dhe duke kërkuar të drejtat e tyre. Pra, nuk është problemi se u hoq lapidari. Është problemi se çfarë sinjali po jep Beogradi, ku dëshiron të shkojë politika e Beogradit, jo vetëm në çështjet e brendshme të Serbisë por edhe në politikën dhe përqasjen e tyre rajonale.

Sa ka ndikuar albanofobia dhe bashkimi kombëtar i artikuluar së fundmi nga Kryeministri Berisha në gjithë këtë çështje?

Unë mendoj që kryeministri në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë ka të drejtë që të evokojë të kaluarën historike. Ne jemi një komb, jemi shqiptarë pavarësisht se ku mund të jetojmë, në rajon apo gjetkë, dhe kemi ndjenjën, krenarinë tonë kombëtare dhe historike. Edhe shqiptarët e luginës së Preshevës kanë një krenari,  janë shqiptarë, kanë kombësinë shqiptare, janë minoritet ashtu siç ne njohim minoritetin grek, apo minoritete të tjera në republikën e Shqipërisë. Problemi nuk ka të bëjë me deklaratat që mund të jenë bërë nga Tirana, sepse kjo nuk determinon dhe nuk kushtëzon politikën e Serbisë. Eshtë për tu theksuar se politika e Tiranës ndaj Serbisë ka qenë jashtëzakonisht konstruktive; kujtoj këtu vizitën historike të z. Meta në cilësinë e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm në Beograd. Kam qenë pjesë e atyre takimeve me Presidentin Tadiç dhe ministrin e atëhershëm të brendshëm Daçiç që sot është kryeministër dhe çështja e shqiptarëve të luginës së Preshevës është ngritur vazhdimisht përgjatë gjithë takimeve por edhe dialogut përmes ministrive të jashtme, Tiranë- Beograd, si një çështje që është çështje e Serbisë por është dhe një çështje që ne na përket ta ngremë sepse ka të bëjë me të drejtat e bashkëkombëseve tanë në republikën e Serbisë dhe është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që Serbia të respektojë të drejtat dhe të garantojë të drejtat e njeriut në këtë luginë. Të drejtat që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes, lapidari hyn për mua në këtë kategori, pra lirinë e shprehjes së ndjenjave kombëtare. Dhe sipas konventës evropiane të të drejtave të njeriut, liria e shprehjes është e garantuar për minoritet edhe në ato momente, dhe në ato raste kur deklarata të ndryshme nga një pakicë mund të vënë edhe një pikëpyetje për ekzistencën e një shteti të caktuar, sepse është liria e shprehjes së të drejtave të njeriut, parim evropian të cilin mesa duket Serbia nuk dëshiron ta respektojë dhe nuk e njeh. Dhe mendoj që përqasja nga Tirana ka qenë në vite tepër pozitive. Ne sa u kthyem nga Beogradi, hoqëm vizat në mënyrë unilaterale për qytetarët serbë dhe Serbisë ju deshën muaj, një vit për ta ndjekur këtë hap pozitiv nga ana jonë. Kështu që Serbia duhet të vazhdojë në rrugën e dialogut, jo në rrugën e dhunës. Duhet të fillojë që ti trajtojë këta qytetarë tamam si qytetarë të republikës së Serbisë.

Kryeministri Berisha, ka pasur një reagim se pas këtij akti do ti rishikojmë marrëdhëniet me Serbinë, si mendoni se do të ndryshojnë këto marrëdhënie?

Jo vetëm kryeministri por edhe ministri i jashtëm Panariti, edhe përfaqësues të partive politike. Unë mendoj që në kontekstin e politikës ose përqasjes ndoshta më pozitive nga Tirana ndaj Beogradit sesa Beogradi drejt Tiranës dhe vendeve të tjera në rajon. Mendoj që Serbia nuk duhet të abuzojë me konstruktivitetin e Tiranës dhe faktet kanë treguar se pavarësisht Tirana ka vazhduar politikën e saj konstruktive, Serbia nuk ka ditur ta respektojë në maksimum dhe ta kthejë me reciprocitet për sa i përket të drejtave të shqiptarëve gjë që është sanksionuar edhe në Kushtetutën e Shqipërisë. Ne kemi një të drejtë që të mbrojmë të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë. Kështu që mendoj se është normale që ka një reagim tepër të fortë nga Tirana. Nuk do të thosha që është e udhës që të përgjigjemi me të njëjtën monedhë dhe t’i bëjmë karshillëk këtij brutaliteti të treguar nga Serbia ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Dua të dënoj edhe aktet dhe vandalizmat që kanë ndodhur këto ditë në Kosovë sepse ne nuk kemi të njëjtat standardeve. Ne duhet të vazhdojmë t’i përgjigjemi me një dinjitet shumë më të lartë se sa Beogradi dhe shqiptarët kudo qofshin ata në Luginën e Preshevës apo në Shqipëri, apo në Maqedoni duhet të ruajnë qetësinë dhe vlerat e larta demokratike evropiane. kjo nuk është mënyra sesi zhvillohet politika e fqinjësisë së mirë dhe kjo  nuk është mënyra sesi duhet të trajtohet qytetarët apo minoritetet në një vend që pretendon të jetë pjesë e Europës, ashtu siç ka pretenduar kryeministri Daçiç se serbët do të sillen si europianë dhe do të dënojmë terroristët. Qytetarët e tu nuk mund ti trajtosh si terroristë, por si qytetarë përmes programit të zhvillimit ekonomik. Lugina e Preshevës është zona më e varfër, më e robëruar, më e lënë e pas dore, më e izoluar. Mjafton të shkoni atje ta shihni se çfarë izolimi u bëhet shqiptarëve të Luginës së Preshevës sepse paqja dhe dialogu, dhe stabiliteti në rajon dhe sidomos në atë pjesë të Serbisë, fillon nga zhvillimi ekonomik. Të drejtat e njeriut dhe zhvillimi ekonomik janë dy gjërat më të rëndësishme për ata qytetarë të Luginës së Preshevës.

A mund ta zgjidhin midis tyre këtë problem, Prishtina dhe Beogradi, apo duhet ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar dhe ç’rol ka luajtur faktori ndërkombëtar në këtë çështje ?

Marrëdhëniet Prishtinë – Beograd, Kosovë – Serbi dhe dialogu midis këtyre dy vendeve nuk duhet të merret peng dhe nuk duhet të keqpërdoret duke marrë si bazë Luginën e Preshevës. Është e vërtetë që kryeministri Daçiç shprehu qartazi që do të shkojë në Bruksel dhe do të takohet me kryeministrin Hashim Thaçi por ai lapidar nuk do të jetë i ngritur në Preshevë. E mbajti premtimin. Por, kjo nuk duhet të mbajë peng zhvillimin e dialogut Kosovë – Serbi pasi ky dialog, ky bashkëbisedim i moderuar dhe i iniciuar nga Bashkimi Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të ecë përpara dhe duhet të vazhdojë që të plotësohen të gjitha ato kriteret dhe prioritet që kërkohen nga Brukseli për të garantuar të drejtat dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, qofshin ata shqiptarë apo me kombësi serbe që jetojnë në Kosovë. Por, duket qartë që ka një efekt psikologjik mbi ecurinë e këtij dialogu dhe ky ka qenë edhe shqetësimi i faktorit ndërkombëtar. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për dialog, ka bërë thirrje për qetësi nga të dyja palët dhe ka bërë thirrje ndaj Serbisë për respektim të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe gjithashtu deklarata e fundit e Komisionit Europian prekte aspektin e zhvillimit ekonomik, të programit të zhvillimit ekonomik sepse është jetike.    Edhe z. Meta kur ishte në Beograd, gjatë takimit me presidentin Tadiç, e ngriti çështjen e zhvillimit ekonomik, përfundimin e autostradës së seksionit të jugut të Serbisë, të cilën mund ta lidhin edhe me Maqedoninë, edhe me Kosovën deri në Shqipëri . Pra, hapja e rrugëve, heqja e barrierave, rritja e kontaktit mes popullsive nëpër kufijtë e vendeve të Ballkanit do të ishte rruga më e mirë për të ecur përpara dhe për të minimizuar konfliktet dhe për të rritur paqen e stabilitetin ashtu sikurse Europa bëri pas Luftës së Dytë Botërore duke krijuar Komunitetin Ekonomik Europian.
Në muajin shkurt është caktuar edhe raundi i pestë i bisedimeve. A besoni se do të ketë ndonjë përgjigje negative nga ana e Kosovës si kundërpërgjigje ndaj këtij vendimi të Serbisë për heqjen e bustit?
Unë e deklarova edhe më parë se ne shqiptarët nuk mendoj se duhet t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë palës serbe. Nëse Serbia dëshiron ti diskriminojë dhe keqtrajtojë shqiptarët e Preshevës, kjo nuk do të thotë që Kosova duhet të keqtrajtojë dhe të diskriminojë serbët e Kosovës. Për këtë arsye edhe aktet e dhunshme dhe vandalizmat nëpër varreza apo lapidarëve që kanë të bëjnë me serbët e Kosovës janë të dënueshme e të papranueshme. Kështu që mendoj se dialogu duhet të ecë përpara, por edhe një lloj presioni duhet të vijë gjithnjë e më i lartë, edhe nga Tirana sikurse ka ndodhur edhe ditët e fundit. Besoj se është edhe në linjë me shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilën ne duhet të vazhdojmë ta mbrojmë por edhe nga Kosova, e cila duhet të vazhdojë presionin ndaj Serbisë përsa i përket këtyre shqiptarëve, sepse ne nuk mund ti harrojmë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Nuk mund ti lëmë ata të vetëm dhe të izoluar në dorën të dhunës, e terrorit psikologjik por edhe ushtarak të forcave serbe. U informova nga përfaqësuesit  lokalë të Luginës së Preshevës dhe nga z. Ragmi Mustafa  përsa i përket gjendjes atje, ku ka një përqendrim të forcave serbe sidomos në anën e Bujavoncit dhe afër kufirit me Kosovën. Dhe kjo është një situatë e patolerueshme, e papranueshme sepse nuk krijon një frymë mirëkuptimi dhe besimi midis shtetit serb dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ka pasur një deklaratë të z. Daçiç që kjo është një çështje e brendshme e Serbisë.
Nëse në një vend demokratik, në një grup qoftë ky etnik, fetar, social deklaron se nuk e pranon autoritetin dhe integritetin  territorial dhe angazhohet në veprime terrorizmi, sikurse ndodh në Lindjen e Mesme, atëherë kjo mund të jetë një çështje e brendshme e një shteti. Këtu nuk bëhet fjalë për cënimin e shtetit të Serbisë. Këtu bëhet fjalë për shprehjen e një ndjenje kombëtare nga ana e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sepse nuk e shoh se një lapidar me disa emra kërcënon të drejtën e ekzistencës së serbëve apo kërcënon jetën e qytetarëve të Serbisë. Pra, nuk është një çështje thjesht e brendshme e Serbisë, është një çështje që i përket edhe Shqipërisë sepse kemi të bëjmë me nënshtetas serbë me kombësi shqiptare. Është një çështje që i përket BE-së, sepse Serbia kërkon të aderojë në Bashkimin Europian dhe në vazhdën e këtij procesi ka disa kushte përsa i përket dialogut me Kosovën dhe respektimit të të drejtave të minoriteteve në Republikën e Serbisë. Kështu që, kjo është një çështje që i përket të gjithë aktorëve me të cilët Serbia është e angazhuar aktualisht përsa i përket ecurisë së Serbisë në procesin e integrimit evropian. Nuk mund të ketë integrim evropian apo rajonal me këtë lloj mentaliteti, me mentalitetin e dhunës, të terrorit dhe të diskriminim ndaj pakicave.

Mendoni se Bashkimi Europian mund t’i japë përgjigje kësaj? Dhe këtë mund ta tregojë në procesin e integrimit të Serbisë?

Unë mendoj se BE ka qenë goxha e angazhuar me Serbinë dhe goxha produktiv për sa i përket dhe rezultateve të kohëve të fundit në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Mendoj që BE duhet të vazhdojë ta ndjekë me vëmendje situatën në Luginën e Preshevës. BE duhet ta rrisë presionin ndaj Serbisë dhe duhet ta kushtëzojë atë më tepër për sa i përket integrimit evropian të Serbisë sepse nëse nuk respektohen standardet demokratike evropiane për pakicat nuk duhet të jetë pjesë e BE-së. për këtë arsye z. Daçiç e ka shumë gabim kur thotë se ne do të sillemi si europianë dhe do të luftojmë kundër terroristëve dhe do të mbrojmë integritetin territorial.

Z. Berisha ka kërkuar që komuniteti ndërkombëtar të mos  sillet me dy standarde por të jetë i barabartë me të dy popujt.

Unë besoj se politika dhe përqasja paqësore e Shqipërisë ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit nuk duhet injoruar, jo vetëm nga Serbia por edhe nga faktorët ndërkombëtarë. Besoj se Bashkimi Europian dhe SHBA-të kanë vlerësuar gjithnjë politikën e jashtme të Shqipërisë por mendoj se ka ardhur koha të jemi më konkretë në hapat që ne ndërmarrim. Nuk mund të mbesim vetëm në kuadrin e deklaratave. Mekanizmat e monitorimit nga ana e BE-së duhen rritur në mënyrë drastike por gjithashtu edhe presioni nga Brukseli ndaj Beogradit duhet të jetë më insistues për sa i përket respektimit të të drejtave të shqiptarëve. Së Luginës së Preshevës. Ne si LSI edhe nëpërmjet Ministrisë së Jashtme e kemi shprehur gjithmonë mbështetjen tonë të plotë dhe pa kushte për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ne do të jemi gjithmonë pranë tyre. Ne jemi kontakt të përditshëm me krerët atje qoftë edhe për t’i ndihmuar për problemet e përditshme. Ju garantoj se LSI është një forcë politike që e mbështesë  garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe do të influencojë në mbarëvajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

No comments: