Tuesday, February 05, 2013

Presheva nuk është vetëm – Do të ndërtojmë maternitetin e Preshevës


LSI: Shqipëria duhet të vazhdojë linjën e saj konstruktive e evropiane, pavarësisht brutalitetit të Beogradit.

Gjoni: Serbia nuk po sillet si një vend kandidat për Bashkimin Evropian

Gjatë dy intervistave televizive për ABC News dhe News24, Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së, Ralf Gjoni u shpreh se akti brutal dhe i shëmtuar i Qeverisë Serbe për shembjen e Lapidarit të UCPMB-së në Preshevë është një akt i shëmtuar që tregon shenja albanofobie, racizmi dhe shenja shumë negative për zhvillimet në rajon. “Kjo sepse paqja dhe stabiliteti në rajon nuk vijnë nëpërmjet maskave apo kallashnikovëve, forcave policore, apo dhunës që ushtrohet në Luginën e Preshevës, - tha Gjoni – por përmes programeve të zhvillimit ekonomik të zonës dhe përfshirjes së shqiptarëve në administratën shtetërore".

Ralf Gjoni shprehu bindjen se Diplomacia shqiptare ka treguar pjekuri dhe konstruktivizëm në raport me fqinjët, dhe se ky konstruktivizëm ka rezultuar në një mirëqenie më të mirë për shqiptarët e rajonit sot, pavarësisht problemeve të herëpashershme.

Gjoni shtoi se reagimi brutal i Serbisë në Preshevë, të kujton kohët e shëmtuara të Miloshevicit, ndërkohë që shqetësimi më i madh mbetet situata e rënduar sot, që vjen pas disa vitesh zhvillimesh pozitive në rajon siç janë pavarësia e Kosovës, nisja e dialogut Kosovë-Serbi, heqja e vizave me Serbinë, etj.

Për sa i përket inciativave konkrete për Luginën e Preshevës, Ralf Gjoni tha se pas bisedimeve me Kryetarin e Komunës së Preshevës, “kemi rënë dakort të financojmë Maternitetin e ri të zonës, duke e futur këtë projekt në buxhetin e Qeverisë shqiptare. Vetëm duke ndihmuar mirëqenien e shqiptarëve të Preshevës, duke inkurajuar projektet infrastrukturore dhe të punësimit, dhe duke nxitur dialogun mes shqiptarëve dhe Qeverisë serbe, mund të shkojmë përpara në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”.

Gjithashtu, Ralf Gjoni tha se “në kontekstin e politikës ose përqasjes ndoshta më pozitive nga Tirana ndaj Beogradit, mendoj se Serbia nuk duhet të abuzojë me konstruktivitetin e Tiranës dhe faktet kanë treguar se pavarësisht linjës së Beogradit, Tirana ka vazhduar politikën e saj konstruktive. Sidoqoftë, Serbia nuk ka ditur t’a respektojë në maksimum dhe ta kthejë me reciprocitet këtë konstruktivitet të Tiranës, veçanërisht për sa i përket të drejtave të shqiptarëve atje, gjë që është sanksionuar edhe në Kushtetutën e Shqipërisë”.

Gjoni shprehu solidaritetin e LSI me banorët e Serbisë së jugut duke shtuar se "Presheva nuk është vetëm", dhe se LSI konsideron se kjo është një situatë e patolerueshme, e papranueshme, e cila nuk krijon një frymë mirëkuptimi dhe besimi midis shtetit serb dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Duke përfunduar, Sekretari Ndërkombëtar i LSI, u shpreh se drejtuesit e shqiptarëve në Preshevë duhet të tregojnë pjekuri dhe qetësi, ndërkohë që aktet e fundit të Beogradit, tregojnë se Serbia nuk po sillet si një vend kandidat për Bashkimin Evropian. Pavarësisht sjelljeve të papranueshme të Beogradit, Shqipëria, bashkë me partnerët e saj ndëkombëtarë, do të vazhdojë të veprojë në frymën evropiane që karakterizon politikën e saj të jashtme – përfundoi Ralf Gjoni.


Intervista në ABC News
Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së, Ralf Gjoni

Z. Gjoni si e komentoni heqjen e Përmendores së UÇPMB-së  në Luginën e Preshevës?

Ky akt, është në vazhdën e një politike disavjeçare të viteve të fundit dhe të ngjall kujtimet e shëmtuara të kohës së Millosheviçit dhe politikës së tij brutale ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës. Ky është një akt i shëmtuar që tregon shenja albanofobie, racizmi dhe shenja shumë negative për zhvillimet në rajon. Kjo sepse paqja dhe stabiliteti në rajon nuk vijnë nëpërmjet maskave apo kallashnikovëve, forcave policore, apo dhunës që ushtrohet në Luginën e Preshevës. Ne si LSI por edhe ministria e Jashtme e kemi ngritur vazhdimisht çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Së fundmi ishim të ftuar bashkë me Prof. Dr. Shezai Rrokaj në kongresin e PDSH-së në Preshevë. Na bëri përshtypje që në postën kufitare nuk kishte asnjë shqiptar të punësuar në administratën shtetërore. Gjithashtu as në administratën shtetërore të Serbisë në Preshevë, Bujanovc apo Medvegjë nuk ka asnjë lloj prezence punësimi.

Punësimi dhe zhvillimi ekonomik është rruga për të ecur përpara dhe për të siguruar një lloj paqeje dhe stabiliteti afatgjatë në rajon. Zgjedhja e Serbisë për të ndërhyrë ushtarakisht dhe në mënyrë të dhunshme është një lajm shumë i keq për sa i përket marrëdhënieve të shqiptarëve me shtetin e Serbisë. Me atë përmendore nuk vihet në diskutim integriteti territorial i Republikës së Serbisë por vihet në diskutim trajtimi i Beogradit ndaj këtyre qytetarëve. Beogradi vazhdon të mos i trajtojë shqiptarët e Luginës së Preshevës si qytetarë me të drejta të plota të Republikës së Serbisë. Dhe është mëse normale që për sa kohë Beogradi nuk i trajton ata si qytetarë me të drejta të plota, edhe këta e kanë shumë të vështirë të sillen si qytetarë të vërtetë të kësaj republike duke vënë në diskutim mënyrën e trajtimit të tyre dhe duke kërkuar të drejtat e tyre. Pra, nuk është problemi se u hoq lapidari. Është problemi se çfarë sinjali po jep Beogradi, ku dëshiron të shkojë politika e Beogradit, jo vetëm në çështjet e brendshme të Serbisë por edhe në politikën dhe përqasjen e tyre rajonale.

Sa ka ndikuar albanofobia dhe bashkimi kombëtar i artikuluar së fundmi nga Kryeministri Berisha në gjithë këtë çështje?

Unë mendoj që kryeministri në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë ka të drejtë që të evokojë të kaluarën historike. Ne jemi një komb, jemi shqiptarë pavarësisht se ku mund të jetojmë, në rajon apo gjetkë, dhe kemi ndjenjën, krenarinë tonë kombëtare dhe historike. Edhe shqiptarët e luginës së Preshevës kanë një krenari,  janë shqiptarë, kanë kombësinë shqiptare, janë minoritet ashtu siç ne njohim minoritetin grek, apo minoritete të tjera në republikën e Shqipërisë. Problemi nuk ka të bëjë me deklaratat që mund të jenë bërë nga Tirana, sepse kjo nuk determinon dhe nuk kushtëzon politikën e Serbisë. Eshtë për tu theksuar se politika e Tiranës ndaj Serbisë ka qenë jashtëzakonisht konstruktive; kujtoj këtu vizitën historike të z. Meta në cilësinë e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm në Beograd. Kam qenë pjesë e atyre takimeve me Presidentin Tadiç dhe ministrin e atëhershëm të brendshëm Daçiç që sot është kryeministër dhe çështja e shqiptarëve të luginës së Preshevës është ngritur vazhdimisht përgjatë gjithë takimeve por edhe dialogut përmes ministrive të jashtme, Tiranë- Beograd, si një çështje që është çështje e Serbisë por është dhe një çështje që ne na përket ta ngremë sepse ka të bëjë me të drejtat e bashkëkombëseve tanë në republikën e Serbisë dhe është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që Serbia të respektojë të drejtat dhe të garantojë të drejtat e njeriut në këtë luginë. Të drejtat që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes, lapidari hyn për mua në këtë kategori, pra lirinë e shprehjes së ndjenjave kombëtare. Dhe sipas konventës evropiane të të drejtave të njeriut, liria e shprehjes është e garantuar për minoritet edhe në ato momente, dhe në ato raste kur deklarata të ndryshme nga një pakicë mund të vënë edhe një pikëpyetje për ekzistencën e një shteti të caktuar, sepse është liria e shprehjes së të drejtave të njeriut, parim evropian të cilin mesa duket Serbia nuk dëshiron ta respektojë dhe nuk e njeh. Dhe mendoj që përqasja nga Tirana ka qenë në vite tepër pozitive. Ne sa u kthyem nga Beogradi, hoqëm vizat në mënyrë unilaterale për qytetarët serbë dhe Serbisë ju deshën muaj, një vit për ta ndjekur këtë hap pozitiv nga ana jonë. Kështu që Serbia duhet të vazhdojë në rrugën e dialogut, jo në rrugën e dhunës. Duhet të fillojë që ti trajtojë këta qytetarë tamam si qytetarë të republikës së Serbisë.

Kryeministri Berisha, ka pasur një reagim se pas këtij akti do ti rishikojmë marrëdhëniet me Serbinë, si mendoni se do të ndryshojnë këto marrëdhënie?

Jo vetëm kryeministri por edhe ministri i jashtëm Panariti, edhe përfaqësues të partive politike. Unë mendoj që në kontekstin e politikës ose përqasjes ndoshta më pozitive nga Tirana ndaj Beogradit sesa Beogradi drejt Tiranës dhe vendeve të tjera në rajon. Mendoj që Serbia nuk duhet të abuzojë me konstruktivitetin e Tiranës dhe faktet kanë treguar se pavarësisht Tirana ka vazhduar politikën e saj konstruktive, Serbia nuk ka ditur ta respektojë në maksimum dhe ta kthejë me reciprocitet për sa i përket të drejtave të shqiptarëve gjë që është sanksionuar edhe në Kushtetutën e Shqipërisë. Ne kemi një të drejtë që të mbrojmë të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë. Kështu që mendoj se është normale që ka një reagim tepër të fortë nga Tirana. Nuk do të thosha që është e udhës që të përgjigjemi me të njëjtën monedhë dhe t’i bëjmë karshillëk këtij brutaliteti të treguar nga Serbia ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Dua të dënoj edhe aktet dhe vandalizmat që kanë ndodhur këto ditë në Kosovë sepse ne nuk kemi të njëjtat standardeve. Ne duhet të vazhdojmë t’i përgjigjemi me një dinjitet shumë më të lartë se sa Beogradi dhe shqiptarët kudo qofshin ata në Luginën e Preshevës apo në Shqipëri, apo në Maqedoni duhet të ruajnë qetësinë dhe vlerat e larta demokratike evropiane. kjo nuk është mënyra sesi zhvillohet politika e fqinjësisë së mirë dhe kjo  nuk është mënyra sesi duhet të trajtohet qytetarët apo minoritetet në një vend që pretendon të jetë pjesë e Europës, ashtu siç ka pretenduar kryeministri Daçiç se serbët do të sillen si europianë dhe do të dënojmë terroristët. Qytetarët e tu nuk mund ti trajtosh si terroristë, por si qytetarë përmes programit të zhvillimit ekonomik. Lugina e Preshevës është zona më e varfër, më e robëruar, më e lënë e pas dore, më e izoluar. Mjafton të shkoni atje ta shihni se çfarë izolimi u bëhet shqiptarëve të Luginës së Preshevës sepse paqja dhe dialogu, dhe stabiliteti në rajon dhe sidomos në atë pjesë të Serbisë, fillon nga zhvillimi ekonomik. Të drejtat e njeriut dhe zhvillimi ekonomik janë dy gjërat më të rëndësishme për ata qytetarë të Luginës së Preshevës.

A mund ta zgjidhin midis tyre këtë problem, Prishtina dhe Beogradi, apo duhet ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar dhe ç’rol ka luajtur faktori ndërkombëtar në këtë çështje ?

Marrëdhëniet Prishtinë – Beograd, Kosovë – Serbi dhe dialogu midis këtyre dy vendeve nuk duhet të merret peng dhe nuk duhet të keqpërdoret duke marrë si bazë Luginën e Preshevës. Është e vërtetë që kryeministri Daçiç shprehu qartazi që do të shkojë në Bruksel dhe do të takohet me kryeministrin Hashim Thaçi por ai lapidar nuk do të jetë i ngritur në Preshevë. E mbajti premtimin. Por, kjo nuk duhet të mbajë peng zhvillimin e dialogut Kosovë – Serbi pasi ky dialog, ky bashkëbisedim i moderuar dhe i iniciuar nga Bashkimi Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të ecë përpara dhe duhet të vazhdojë që të plotësohen të gjitha ato kriteret dhe prioritet që kërkohen nga Brukseli për të garantuar të drejtat dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, qofshin ata shqiptarë apo me kombësi serbe që jetojnë në Kosovë. Por, duket qartë që ka një efekt psikologjik mbi ecurinë e këtij dialogu dhe ky ka qenë edhe shqetësimi i faktorit ndërkombëtar. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për dialog, ka bërë thirrje për qetësi nga të dyja palët dhe ka bërë thirrje ndaj Serbisë për respektim të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe gjithashtu deklarata e fundit e Komisionit Europian prekte aspektin e zhvillimit ekonomik, të programit të zhvillimit ekonomik sepse është jetike.    Edhe z. Meta kur ishte në Beograd, gjatë takimit me presidentin Tadiç, e ngriti çështjen e zhvillimit ekonomik, përfundimin e autostradës së seksionit të jugut të Serbisë, të cilën mund ta lidhin edhe me Maqedoninë, edhe me Kosovën deri në Shqipëri . Pra, hapja e rrugëve, heqja e barrierave, rritja e kontaktit mes popullsive nëpër kufijtë e vendeve të Ballkanit do të ishte rruga më e mirë për të ecur përpara dhe për të minimizuar konfliktet dhe për të rritur paqen e stabilitetin ashtu sikurse Europa bëri pas Luftës së Dytë Botërore duke krijuar Komunitetin Ekonomik Europian.
Në muajin shkurt është caktuar edhe raundi i pestë i bisedimeve. A besoni se do të ketë ndonjë përgjigje negative nga ana e Kosovës si kundërpërgjigje ndaj këtij vendimi të Serbisë për heqjen e bustit?
Unë e deklarova edhe më parë se ne shqiptarët nuk mendoj se duhet t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë palës serbe. Nëse Serbia dëshiron ti diskriminojë dhe keqtrajtojë shqiptarët e Preshevës, kjo nuk do të thotë që Kosova duhet të keqtrajtojë dhe të diskriminojë serbët e Kosovës. Për këtë arsye edhe aktet e dhunshme dhe vandalizmat nëpër varreza apo lapidarëve që kanë të bëjnë me serbët e Kosovës janë të dënueshme e të papranueshme. Kështu që mendoj se dialogu duhet të ecë përpara, por edhe një lloj presioni duhet të vijë gjithnjë e më i lartë, edhe nga Tirana sikurse ka ndodhur edhe ditët e fundit. Besoj se është edhe në linjë me shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilën ne duhet të vazhdojmë ta mbrojmë por edhe nga Kosova, e cila duhet të vazhdojë presionin ndaj Serbisë përsa i përket këtyre shqiptarëve, sepse ne nuk mund ti harrojmë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Nuk mund ti lëmë ata të vetëm dhe të izoluar në dorën të dhunës, e terrorit psikologjik por edhe ushtarak të forcave serbe. U informova nga përfaqësuesit  lokalë të Luginës së Preshevës dhe nga z. Ragmi Mustafa  përsa i përket gjendjes atje, ku ka një përqendrim të forcave serbe sidomos në anën e Bujavoncit dhe afër kufirit me Kosovën. Dhe kjo është një situatë e patolerueshme, e papranueshme sepse nuk krijon një frymë mirëkuptimi dhe besimi midis shtetit serb dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ka pasur një deklaratë të z. Daçiç që kjo është një çështje e brendshme e Serbisë.
Nëse në një vend demokratik, në një grup qoftë ky etnik, fetar, social deklaron se nuk e pranon autoritetin dhe integritetin  territorial dhe angazhohet në veprime terrorizmi, sikurse ndodh në Lindjen e Mesme, atëherë kjo mund të jetë një çështje e brendshme e një shteti. Këtu nuk bëhet fjalë për cënimin e shtetit të Serbisë. Këtu bëhet fjalë për shprehjen e një ndjenje kombëtare nga ana e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sepse nuk e shoh se një lapidar me disa emra kërcënon të drejtën e ekzistencës së serbëve apo kërcënon jetën e qytetarëve të Serbisë. Pra, nuk është një çështje thjesht e brendshme e Serbisë, është një çështje që i përket edhe Shqipërisë sepse kemi të bëjmë me nënshtetas serbë me kombësi shqiptare. Është një çështje që i përket BE-së, sepse Serbia kërkon të aderojë në Bashkimin Europian dhe në vazhdën e këtij procesi ka disa kushte përsa i përket dialogut me Kosovën dhe respektimit të të drejtave të minoriteteve në Republikën e Serbisë. Kështu që, kjo është një çështje që i përket të gjithë aktorëve me të cilët Serbia është e angazhuar aktualisht përsa i përket ecurisë së Serbisë në procesin e integrimit evropian. Nuk mund të ketë integrim evropian apo rajonal me këtë lloj mentaliteti, me mentalitetin e dhunës, të terrorit dhe të diskriminim ndaj pakicave.

Mendoni se Bashkimi Europian mund t’i japë përgjigje kësaj? Dhe këtë mund ta tregojë në procesin e integrimit të Serbisë?

Unë mendoj se BE ka qenë goxha e angazhuar me Serbinë dhe goxha produktiv për sa i përket dhe rezultateve të kohëve të fundit në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Mendoj që BE duhet të vazhdojë ta ndjekë me vëmendje situatën në Luginën e Preshevës. BE duhet ta rrisë presionin ndaj Serbisë dhe duhet ta kushtëzojë atë më tepër për sa i përket integrimit evropian të Serbisë sepse nëse nuk respektohen standardet demokratike evropiane për pakicat nuk duhet të jetë pjesë e BE-së. për këtë arsye z. Daçiç e ka shumë gabim kur thotë se ne do të sillemi si europianë dhe do të luftojmë kundër terroristëve dhe do të mbrojmë integritetin territorial.

Z. Berisha ka kërkuar që komuniteti ndërkombëtar të mos  sillet me dy standarde por të jetë i barabartë me të dy popujt.

Unë besoj se politika dhe përqasja paqësore e Shqipërisë ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit nuk duhet injoruar, jo vetëm nga Serbia por edhe nga faktorët ndërkombëtarë. Besoj se Bashkimi Europian dhe SHBA-të kanë vlerësuar gjithnjë politikën e jashtme të Shqipërisë por mendoj se ka ardhur koha të jemi më konkretë në hapat që ne ndërmarrim. Nuk mund të mbesim vetëm në kuadrin e deklaratave. Mekanizmat e monitorimit nga ana e BE-së duhen rritur në mënyrë drastike por gjithashtu edhe presioni nga Brukseli ndaj Beogradit duhet të jetë më insistues për sa i përket respektimit të të drejtave të shqiptarëve. Së Luginës së Preshevës. Ne si LSI edhe nëpërmjet Ministrisë së Jashtme e kemi shprehur gjithmonë mbështetjen tonë të plotë dhe pa kushte për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ne do të jemi gjithmonë pranë tyre. Ne jemi kontakt të përditshëm me krerët atje qoftë edhe për t’i ndihmuar për problemet e përditshme. Ju garantoj se LSI është një forcë politike që e mbështesë  garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe do të influencojë në mbarëvajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Gjate takimit te LSI me banoret ne Lukove.


LSI dënon deklaratat kërcënuese të Kryeministrit serb ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.



Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, shprehim keqardhjen për deklaratat e fundit të Kryeministrit të Serbisë, z. Ivica Daçiç, përmes të cilave kërcënohet popullësia shqiptare e Luginës së Preshevës me heqjen e monumentit dedikuar dëshmorëve të rënë të Ushtrisë Clirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. 

I cilësojmë qëndrimet e fundit të Kryeministrit Daçiç si provokime të hapura ndaj popullësisë shqiptare të Luginës së Preshevës, të cilat nuk janë aspak në linjë me frymën demokratike të Bashkimit Evropian dhe si tërësisht të panevojshme në kontekstin konstruktiv historik ku ndodhet sot rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Konsiderojmë se shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtat e tyre të pakontestueshme që lidhen me lirinë e shprehjes, mbrojtjen dhe kultivimin e identitetit, kulturës, gjuhës dhe vlerave të tyre kombëtare e historike, ashtu siç sanksionohen edhe nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, dhe shprehim bindjen se ushtrimi i këtyre të drejtave nuk cënon aspak integritetin territorial të Serbisë. 

Kërcënimi për kufizimin e këtyre të drejtave, është një sinjal negativ për integrimin evropian të Serbisë, ndërkohë që kushtëzimi i vazhdimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë me heqjen e monumentit në Preshevë, nuk i shërben aspak klimës së fqinjësisë së mirë dhe mbarëvajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë. 

Kujtojmë gjithashtu se forcimi i paqes dhe mirëkuptimit në Luginën e Preshevës vjen përmes rritjes së investimeve dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve, jo përmes shantazheve dhe lëndimit që u bëhet ndjenjave kombëtare të shqiptarëve në jugun e Serbisë.

I bëjmë thirrje Kryeministrit Daçiç për tërheqje nga deklarata të tilla provokuese, dhe inkurajojmë përfaqësuesit e zgjedhur të faktorit shqiptar në Serbi të reagojnë me përgjegjshmëri dhe pjekuri demokratike ndaj çdo lloj kërcënimi, duke shpresuar njëkohësisht se qetësimi i situatës do t’i shërbente avancimit të axhendës evropiane të të gjithë rajonit.

Klasa politike shqiptare ia bëri të pamundur Brukselit të na e japë statusin.

Projekt-Rezoluta Came meriton mbështetjen dhe votën e LSI.




Gjatë një interviste për UTV, Sekretari Ndërkombëtar i LSI, Ralf Gjoni, shprehu qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në mbështetje të Projekt-Rezolutës për Cështjen Came, si një çështje që ka të bëjë me të drejtat e njeriut dhe jo me nacionalizmin. Gjithashtu, duke komentuar për statusin e vendit kandidat, Ralf Gjoni shprehu zhgënjimin e LSI-së me paaftësinë e klasës politike shqiptare që të votonte tre ligjet e mbetura, duke vënë në dukje se sot, fatkeqësisht, kjo klasë politike ia ka bërë të pamundur vendeve anëtare të BE-së, të votojnë pro statusit, duke e konsideruar këtë dështim si një humbje absurde e një shansi historik.

Z. Gjoni, a do të shkojnë pro rezolutës Came votat e LSI-së?

Ajo që është e rëndësishme është që ka një iniciativë për të ngritur çështjen e të drejtave të popullësisë çame në nivel legjislativ parlamentar, iniciativë që unë e përshëndes, dhe është njëkohësisht e rëndësishme që kjo projekt-rezolutë të futet në axhendën e Parlamentit dhe të konsiderohet zyrtarisht për votim. Vetëm pas kësaj mund të analizojmë dhe konsiderojmë votat që kjo iniciativë do të marrë.
LSI ka qenë e para forcë politike që e ka mbështetur çështjen çame; kujtoj këtu së fundmi edhe deklaratën ë Ministrit të Jashtëm Panariti në Athinë, i cili ngriti çështjen e të drejtave të popullësisë çame në nivel zyrtar me homologun e tij grek, si një çështje me rëndësi jo vetëm për këtë popullësi, por edhe për të gjithë shqiptarët dhe vetë Shqipërinë. Pra, ne e kemi deklaruar hapur se jemi një forcë politike që e mbështesim çështjen çame , dhe në këtë kontekst, do të habitesha nëse ne si forcë politike nuk do e mbështesnim këtë projekt-rezolutë. Pra tendenca dhe predispozita jonë është tepër pozitive për t’a votuar në momentin që ajo futet në Parlament, por miratimi i saj patjetër që nuk varet vetëm nga ne. 

Ka filluar të ndjehet edhe fryma e zgjedhjeve te 2013, dhe motorrët e partive do të ndizen së shpejti. A do të shërbente kjo si një kapital politik për zgjedhjet? Cfarë do të ndodhte nëse PD dhe PS nuk e votojnë?

Unë nuk e shoh si një çështje në interes të kapitalit politik të LSI-së, unë e shoh si një çështje tepër të rëndësishme që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, dhe jo si një çështje nacionaliste. Kemi një popullësi e cila ka disa të drejta që i ka humbur pas dëbimit nga Greqia, dhe sot ajo thjesht kërkon të drejtat e saj. Jam i sigurt që edhe Greqia, që është një vend anëtar i BE-së, do të dijë një ditë t’a vlerësojë këtë çështje në frymën evropiane, në respekt të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të respektojë të drejtat e këtyre qytetarëve të cilët penalizohen padrejtësisht. Në këtë frymë, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim e mbështet çështjen çame, sepse në këtë rast ne mbrojmë të drejtat e njeriut, jo kapitalin tonë politik.

A mendoni se kanë ndryshuar kushtet sot, në krahasim me 2004, sidomos në kontekstin e 100 Vjetorit dhe retorikës nacionaliste kohet e fundit? 

Në vitin 2004, as Lsi dhe as PDIU nuk ishin prezente ne Parlament. Sot ODIU është e përfaqësuar në Parlament, dhe kjo forcë politike ka të drejtë t’a ngrejë çështjen çame. Gjithashtu, mendoj se kushtet sot janë më të favorshme se para disa vitesh, dhe vetë fakti që vetë diplomacia shqiptare e ka ngritur këtë çeshtje më hapur sot, do të thotë që jetojmë në kohëra të ndryshme nga ato të vitit 2004. Besoj se edhe Shqipëria dhe kombi shqiptar në rajon, është më i çliruar dhe më i fortë sot, nga komplekset e të kaluarës për shkak të padrejtësive historike që janë bërë ndaj tij, dhe si të tillë, sot ne jemi në gjendje të kërkojmë të drejtat që u përkasin qytetarëve dhe bashkëkombasve tanë.

Z. Gjoni, ka informacione se disa media kanë siguruar raportin e KE, i cili ngel për të tretën herë në klasë Shqipërinë për statusin e kandidatit. Duke qenë se ju e keni në themel integrimin, a mendoni se edhe LSI duhet të bëjë një ‘mea culpa’ në këtë moment?

E para, nuk ka nevoje për informacione të fshehta nga mediat, sepse faktet janë tepër të qarta, simptomat janë tepër të qarta, për sëmundjen që vuan vendi ynë. Pra, që klasa politike shqiptare në këte vend është e sëmurë, lëngon në shtrat, dhe nuk është në gjendje të marrë përgjegjësitë historike në interes të vendit, për të kaluar ato pak ligje që na prisnin në Parlament për të marrë statusin e vendit kandidat. E kam thënë më parë këtu që populli shqiptar e meriton statusin e vendit kandidat, politika shqiptare jo!
E vërtetë që LSI e ka kauzë primare integrimin, sepse besojmë fort se integrimi evropian është e vetmja rrugë dhe e ardhme jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë kombet e tjera të rajonit. Në Evropë na takon vendi, sepse vetëm kështu mund të garantojmë të drejtat tona dhe të bashkëkombasve tanë, por edhe më tepër prosperitet, paqe dhe stabilitet për rajonin. 

Eshtë një dështim i klasës politike shqiptare, së cilës iu servir statusi. Përfitoj këtu të vlerësoj përpjekjet dhe punën e Prezencës së BE në Tiranë dhe të Ambasadorit Sequi, në mbështetje të përmbushjes së prioriteteve, vlerësoj lobimin që është bërë për Shqipërinë, siç vlerësojmë edhe gatishmërinë e Brukselit dhe të vendeve anëtare për t’a mirëpritur Shqipërinë si vend kandidat. Me të vërtetë që është bërë një punë e madhe për t’a çuar Shqipërinë drejt përmbushjes së kërkesave dhe për të bindur vendet anëtare që të votonin pro statusit kandidat. Sot, fatkeqësisht, Shqipëria ia ka bërë të pamundur vendeve anëtare të BE-së, që të votojnë pro statusit. 

A do të vazhdojë të mbetet integrimi evropian kauza e LSI, pas tre dështimeve radhazi?

Patjetër që po. Nuk do të thotë se patëm një dështim sot, që do të kemi një dështim edhe nesër. Unë besoj se nëse ne vazhdojmë ti bindim qytetarët shqiptarë që të jenë më kërkues ndaj politikanëve që zgjedhin në Parlament, kjo do të thotë që do të arrijmë t’a bindim edhe këtë klasë politike, të jetë më pozitive, më konstruktive dhe të mendojë më shumë për interesat e vendit se sa interesat e ngushta partiake. 

Më duhet të them që ka një lloj zhgënjimi jo vetëm nga ne, por edhe nga faktori ndërkombëtar me opozitën shqiptare, e cila nuk arriti ti lërë mënjanë interesat elektorale për të votuar ato tre ligje, dhe për të demonstruar një lloj bashkëpunimi më qytetar, më civik, më të pjekur, ashtu siç sillen edhe partitë në vendet e tjera evropiane, atje ku ne synojmë të aderojmë. Duket sikur Brukseli e ka dashur statusin më tepër se sa politikanët shqiptare. Sot Shqipëria tregoi se nuk është e gatshme dhe as në gjendje t’a meritojë statusin e vendit kandidat, për shkak të problemeve të brendshme.
Besoj fort se është e pafalshme dhe absurde për këtë klasë politike, që të humbiste këtë shans që iu dha vendit.

LSI ne Presheve: Po punojme per te ardhmen tuaj.
Shezai Rrokaj: Shqiperia ju mbeshtet per te drejtat tuaja legjitime. 



Perfaqesues te Levizjes Socialiste per Integrim, Prof. Dr. Shezai Rrokaj, Kryetari i LSI Tirane dhe Sekretari Nderkombetar i LSI Ralf Gjoni moren pjese ne Kuvendin e peste zgjedhor te Partise Demokratike Shqiptare (PDSh) ne Presheve. 

Me kete rast, Prof. Shezai Rrokaj pasi i falenderoi drejtuesit e PDSH per mikpritjen e ngrohte, uroi Kongresin dhe delegatet e PDSH si dhe Kryetarin e saj z. Ragmi Mustafa, duke percjelle pershendetjet me te ngrohta dhe vllazerore te LSI dhe Kryetarit te saj z. Ilir Meta, jo vetem per anetaret e PDSH por edhe per te gjithe shqiptaret e Lugines se Presheves. 

Prof. Rrokaj u shpreh se LSI dhe e gjithe Shqiperia mbeshtet plotesisht kerkesat dhe mbrojtjen e te drejtave te shqiptareve te Serbise, duke garantuar se qe  pas vizites se z. Meta ne Presheve ne vitin 2010, Tirana zyrtare ka qene dhe do vazhdoje te jete gjithnje e me prane vellezerve shqiptare te Lugines se Presheves. 

Profesor Rrokaj u shpreh: "Ne kete Nentor 100 Vjetori, ne kujtojme se historia nuk i ka perkedhelur shqiptaret, nje komb i ndare ne 5 shtete. Por sot kuptojme se shqiptaret ia kane dale, dhe sot ia dalin me mire se kurre, sepse kane ditur te punojne e te ndermarrin veprime qe i afrojne ata me Bashkimin Evropian, dhe ky duhet te jete prioriteti i te gjitheve, axhenda jone e perbashket evropiane". 

Gjithashtu Prof. Rrokaj theksoi se Lugina e Presheves ka moshen mesatare me te re nga te gjitha Komunat e Serbise. "Dhe kjo eshte nje pasuri e rralle, tha ai, nje brez te ri te cilin ne duhet ta edukojme me ndjenjat e fqinjesise se mire e ta pergatisim profesionalisht, sepse kjo eshte e vetmja rruge per te siguruar te ardhmen tone. Ndaj duhet ta arsimojme rinine e Presheves ne Universitet tona me te mira, dhe te sigurohemi qe Republika e Serbise t'i njohe diplomat e studenteve tane, ashtu sic njihen nga shume vende te tjera". 

Prof. Rrokaj tha se Shqiperia do ta mbeshtese Popullin e Lugines se Presheves, duke lobuar fuqishem prane qeverise se Serbise, permes projekteve te drejtperdrejta nga Tirana ne fushen e arsimit, shendetesise dhe investimeve, si dhe permes punes prane organizmave nderkombetare ku Shqiperia perfaqesohet zyrtarisht me te drejta te plota. 

Ne perfundim, Prof. Rrokaj permes nje gjesti simbolik, i dhuroi nje kopje te Abetares mbarekombetare, ne cilesine e bashkeautorit, Kryetarit te Komunes se Presheves dhe Kreut te PDSH z. Ragmi Mustafa.
During the meeting with US DAS Phil Reeker in Tirana.


LSI përfaqësohet në takimin e Grupit Europarlamentar të Partive Socialiste dhe Demokrate.



Ralf Gjoni: Koha e ngërçeve dhe zvarritjeve të panevojshme ka ikur!

Lëvizja Socialiste për Integrim u përfaqësua nga Sekretari Ndërkombëtar Ralf Gjoni në takimin e Grupit Europarlamentar të Partive Socialiste dhe Demokrate, që u zhvillua në Bukuresht me pjesëmarrjen e Eurodeputetëve të majtë të Parlamentit Evropian.

Në këtë kuadër, Sekretari Ndërkombëtar i LSI Ralf Gjoni mori pjesë dhe mbajti një fjalë në Takimin e veçantë mes Grupeve Parlamentare të Ballkanit Perëndimor dhe Eurodeputetëve Social-Demokratë, me fokus në zhvillimet e fundit politike në rajon si dhe në perspektivën e integrimit evropian të vendeve të rajonit.

Duke diskutuar mbi ecurinë politike të Shqipërisë, Gjoni u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim, si para ashtu edhe pas angazhimit në koalicionin qeverisës, ka marrë vendime të rëndësishme për vendin duke dhënë shembullin e një force politike social-demokrate progresiste dhe pragmatike që kontribuon për stabilitetin politik dhe ekonomik jo vetëm të Shqipërisë por edhe të rajonit. Gjithashtu, Gjoni vlerësoi progresin e bërë nga vendet e rajonit në drejtim të integrimit evropian duke vlerësuar marrjen së fundmi të statusit të vendit kandidat nga Serbia si dhe hapjen e negociatave me Malin e Zi gjatë kësaj jave. Gjoni theksoi se paqja dhe stabiliteti në rajon do të ishin afatgjatë vetëm përmes një perspektive konkrete anëtarësimi në Bashkimin Evropian të të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Duke u fokusuar më tej në zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, Ralf Gjoni u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim mbetet tërësisht e vendosur të luajë rolin e saj konstruktiv për krijimin e një klime sa më bashkëpunuese dhe pozitive mes forcave politike në vend, me qëllim përmbylljen sa më shpejt të reformave të mbetura dhe marrjen e Opinionit pozitiv nga Komisioni Evropian këtë vjeshtë në lidhje me statusin e vendit kandidat. Në këtë kuadër ai theksoi se qytetarët shqiptarë meritojnë më tepër përgjegjshmëri dhe pjekuri nga e gjithë klasa politike shqiptare dhe nënvizoi se koha e ngërçeve dhe zvarritjeve të panevojshme tashmë ka ikur.

Gjatë qëndrimit të tij në Bukuresht, Ralf Gjoni u takua me Presidentin e Grupit Europarlamentar Social-Demokrat Hannes Swoboda, Zv. Presidentin e Grupit Libor Roucek, Presidentin e Partisë së Socialistëve Evropianë (PES) Sergei Stanishev, si dhe me Eurodeputetët Tanja Fajon, Kristian Vigenin, Dimitrios Droutsas, Viktor Bostinaru dhe Knut Fleckenstein. Gjatë të gjitha takimeve, Sekretari Ndërkombëtar Ralf Gjoni shprehu mirënjohjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim për mbështetjen e vazhdueshme që Grupi Social-Demokrat në Parlamentin Evropian i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në avancimin e axhendës evropiane të vendit.

Wednesday, November 07, 2012

LSI – Obama fitore e merituar, sukses për demokracinë në botë.
 
Ralf Gjoni – Politika shqiptare ka nevojë për etikën e lartë politike amerikane.

Gjatë një interviste për Ora News, Sekretari Nderkombëtar i LSI-së Raf Gjoni shprehu kënaqësinë për mënyrën si u zhvillua fushata elektorale në SHBA, duke e cilësuar fitoren e Presidentit Obama, jo vetëm si një sukses të tij, por të të gjithë zhvillimit të demokracisë në botë.

Ralf Gjoni u shpreh se përshëndetja e ndërsjelltë mes dy kandidatëve pas rezultatit, është kulturë tashmë e mirë themeluar në një demokraci të konsoliduar si SHBA, ku humbësi i zgjedhjeve i shtrëngon dorën fituesit, duke i uruar suksese në punën e tij, dhe duke i lënë hapur edhe derën për bashkëpunim.

Gjoni tha: “Është një kulturë tejet e lartë demokratike, një etikë shumë e lartë politike... një etikë e munguar në Shqipëri, ku humbësi asnjëherë nuk e pranon humbjen, por gjithmonë mundohet të gjejë pretekste për të justifikuar humbjen e tij. Pra mendoj që është jo vetëm një traditë e mirë themeluar në Amerikë, por është edhe një shembull shumë i madh që duhet ndjekur nga e gjithë bota dhe veçanërisht nga klasa politike shqiptare, e cila ka jashtëzakonisht nevojë për një etikë më të lartë politike, për një qytetari më të madhe në politikëbërje dhe për një sens përgjegjshmërie kombëtare shumë më të madhe, ashtu siç kemi parë gjatë javëve të fundit dhe sidomos ditën e djeshme në SHBA”.

Ralf Gjoni shtoi se Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë gjithnjë për një etikë më të maturuar, më të pjekur të politikëbërjes në Shqipëri. “Gjithnjë kemi bërë thirrje për bashkëpunim. E kemi bërë këtë me besimin e plotë se klasa politike mundet të punojë së bashku. Bashkëpunimi politik, për ne si LSI, është një domosdoshmëri dhe duhet të jetë gjithnjë një praktikë në vazhdimësi, jo një praktikë sporadike që  e hasim ose e shohim vetëm atëherë kur miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë ndërhyjnë dhe të na shtyjnë përmes presionit ti puqin të dy palët bashkë, për të arritur marrëveshje të caktuara”. 

“Ne si LSI po mundohemi fort që t’a institucionalizojnë kulturën e politikëbërjes qytetare dhe etike në Shqipëri, ndaj duhet të marrim shembull nga SHBA” përfundoi Gjoni.

Intervista e plotë në Ora News
Ralf Gjoni, Sekretar Ndërkombëtar, LSI

Si e gjykoni fitoren e Barack Obamës në zgjedhjet presidenciale në SHBA?

Së pari, është një sukses për demokracinë jo vetëm në Amerikë, por në të gjithë botën, sepse kemi parë një fushatë gjatë javëve dhe muajve të kaluar tejet të nxehur, shumë të fortë, betejë shumë të ashpër midis dy oponentëve, një shpenzim i jashtëzakonshëm, shpenzimi më i madh në historinë e zgjedhjeve të ndonjë vendi, rreth 6 miliardë dollarë janë harxhuar për këtë fushatë. Pra, është fitore e demokracisë së pari, para se të fitonte Barack Obama. Obama ishte rezultat i votës së popullit, pavarësisht marzhit tepër të ngushtë të fitores, avantazhit mbi Mitt Romney, por ishte një fitore e merituar dhe siç pritej. Unë e prisja në fakt që Barack Obama do të kishte një avantazh të lehtë për vetë historinë e 4 viteve të fundit, për vetë ato reforma që ai ka ndërmarrë gjatë këtyre 4 viteve, përballjen që i ka bërë krizës së madhe globale të paprecedentë që prej fillimit të shekullit të kaluar. Të gjitha këto ishin disa avantazhe që Obama i kishte në shportë, le ta themi kështu, para se të shkonte në zgjedhje dhe për të cilat u vlerësua edhe nga votuesit amerikanë, dhe që në fund i dhanë fitoren. 


Ashtu si Obama i cili ishte fituesi i zgjedhjeve, edhe Romney, mbajti një fjalim përshëndetës para elektoratit të tij, një kulturë shumë demokratike që bëri shumë përshtypje. Ai e hapi fjalimin e tij duke i dhënë urimet më të mira presidentit të sapo zgjedhur. Si e shikoni këtë kulturë kaq demokratike?

Së pari, nuk është ndonjë risi, është kulturë tashmë e mirë themeluar në një demokraci të konsoliduar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku humbësi i zgjedhjeve i shtrëngon dorën, në mënyrë figurative fituesit, duke i uruar suksese në punën e tij, dhe i lë hapur edhe derën për bashkëpunim. Mitt Romney u shpreh qartazi që ai do t’i lutet Zotit që presidenti Obama ta drejtojë vendin në këto kohë të vështira të krizës globale dhe përmes sfidave të mëdha më të cilat përballet Amerika sot. 

Është një kulturë tejet e lartë demokratike, një etikë shumë e lartë politike; dhe do të thosha një komunikim i denjë për vetë atë që përfaqëson populli amerikan, apo demokracia amerikane. Një etikë e munguar në Shqipëri, e munguar në shumë vende te tjera të botës, ku humbësi asnjëherë nuk e pranon humbjen, por gjithmonë mundohet të gjejë pretekste për të justifikuar humbjen e tij. Pra mendoj që është jo vetëm një traditë e mirë themeluar në Amerikë, por është edhe një shembull shumë i madh që duhet ndjekur nga e gjithë bota dhe veçanërisht nga klasa politike shqiptare, e cila ka jashtëzakonisht nevojë për një etikë më të lartë politike, për një qytetari më të madhe në politikëbërje dhe për një sens përgjegjshmërie kombëtare shumë më të madhe, ashtu siç kemi parë gjatë javëve të fundit dhe sidomos ditën e djeshme në SHBA.


Sa kohë do t’i duhet Shqipërisë të marrë shembull nga zgjedhjet në SHBA, duke qenë se edhe ambasadorët kanë apeluar në drejtim të klasës politike që të ndjekin shembullin e zgjedhjeve në SHBA?

Para se ta bëjnë thirrjen ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë thirrjen, e ka bërë prej kohësh populli shqiptar, i cili pritshmëritë nga klasa politike i ka shumë më të larta se nga vetë politikanët që e përbëjnë këtë klasë politike në Shqipëri. Nuk është çudi e madhe që në Shqipëri ka ende probleme të etikës së komunikimit dhe pranueshmërisë së rezultateve të zgjedhjeve sepse jemi një demokraci relativisht e re, 20 vjet demokraci. 

Nuk mund të fillojmë të krahasohemi me të gjitha segmentet e funksionimit të demokracisë amerikane që është një nga demokracitë më të vjetra dhe më të konsoliduara në botë, por mund të marrim shembull, mund të marrim mësime nga kjo demokraci dhe  mund të aplikojmë disa nga këto parime sidomos kur bëhet fjalë për etikën e praktikës së politikëbërjes në Shqipëri sidomos gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të cilat janë tepër problematike. 

Unë mendoj që klasa politike i ka kapacitet për të thithur një etikë të tillë komunikimi kaq të lartë nga Amerika por nuk ka vullnetin për ta vënë në punë këtë lloj etike sepse mendoj që klasa politike shqiptare, partitë politike në Shqipëri ende udhëhiqen nga interesat tepër të ngushta politike dhe personale duke lënë mënjanë interesat madhore të vendit, siç është edhe rasti për shembull në 100-vjetorin e pavarësisë. 

Eshtë e qartë që dhe thirrjet nga Sekretarja Clinton dhe nga vetë partnerët tanë ndërkombëtarë siç është Bashkimi Evropian dhe organizata të tjera, kanë qenë tepër të qarta dhe tepër miqësore, dashamirëse ndaj Shqipërisë, pra që duke treguar një vullnet pozitiv, një bashkëpunim pozitiv, ne do mund të kalojmë ato reforma dhe të miratojmë ato tre ligje të mbetura për të marrin statusin e vendit kandidat, për ti shërbyer vendit sa më mirë. Sepse duhet ndarë interesi i ngushtë i një partie politike apo disa partive politike të caktuara nga interesat madhore të vendit. Për këtë arsye unë mendoj që ky moment kaq i bukur, kaq pozitiv, kaq emocionues i zgjedhjeve në SHBA, le të shërbejë si një momentum shtytës edhe për ti dhënë një frymë më pozitive vetë politikës në Shqipëri.


 A është e mundur që ta realizojë bashkëpunimin politika shqiptare? 

Ne si LSI, siç edhe ju jeni në dijeni nga mediat dhe publiku shqiptar, gjithnjë  kemi qenë për një etikë më të maturuar, më të pjekur të politikëbërjes në Shqipëri. Gjithnjë kemi bërë thirrje për bashkëpunim, mjafton të hapni arkivat mediatikë dhe të shihni të gjithë deklaratat në vite të LSI-së, për sa i përket nevojshmërisë së bashkëpunimit politik sidomos në momente kyçe të vendit, në rrugëtimin dhe në përmbushjen e axhendës evropiane të vendit. E kemi bërë këtë me besimin e plotë se klasa politike mundet të punojë së bashku, dhe në momente kritike, shpesh herë dhe me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, e ka treguar se mund të ulet në një tryezë dhe mund të bashkëpunojë dhe mund të kalojë ato ligje apo ato reforma përmes një konsensusi të gjerë. Kjo nuk duhet bërë vetëm në disa momente specifike të zhvillimit të politikës në Shqipëri por duhet bërë në vazhdimësi. Politika duhet të bashkëpunojë gjatë gjithë kohës. Bashkëpunimi politik, për ne si LSI, është një domosdoshmëri dhe duhet të jetë gjithnjë një praktikë në vazhdimësi, jo një praktikë sporadike që  e hasim ose e shohim vetëm atëherë kur miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë ndërhyjnë dhe të na shtyjnë përmes presionit ti puqin të dy palët bashkë, për të arritur marrëveshje të caktuara. 

Kështu që në këtë kontekst, a është e mundur? Absolutisht që po! Ndryshe nuk do bënim thirrje, nuk do kishim besim se në politikë mund të arrinim zhvillime pozitive. Dhe po të shohim 20 vitet e kaluara në Shqipëri ka zhvillime pozitive. Politika nuk ka qenë ajo që ka qenë më përpara, vërtet ka konflikte, vërtet ka mos rënie dakord mes palëve, kjo është normale në një demokraci sepse në fund të fundit një demokraci në zhvillim kërkon edhe përplasje politike, por le të bëhen këto përplasje në emër të çështjeve madhore të vendit. Le të bëhen këto në platforma institucionale siç është Parlamenti, jo në rrugë siç ka qenë praktika gjatë dy-tre viteve të fundit. Shpresoj të jemi në rrugë të mbarë sepse gjatë muajve të fundit kemi parë disa shenja pozitive për sa i përket konsensusit për të arritur disa prioritete të nevojshme. 

Tashmë jemi edhe përballë dhënies së verdiktit nga BE-ja për statusin e vendit kandidat në rrugën drejt integrimit europian. 

Jo vetëm dhënie të verdiktit, por më tepër marrjes së vendimit nga vendet anëtare në dhjetor. Është e rëndësishme të kuptojmë që këto vende anëtare duhet të marrin një vendim. Secili vend anëtar merr një vendim që një vend si Shqipëria të jetë apo jo kandidat për anëtarësim, dhe si vendimmarrës, ata duhet të binden që këtu në Tiranë ka një frymë pozitive bashkëpunimi dhe ka një përqendrim të të gjithë klasës politike,veçanërisht partive kryesore, mazhorancës dhe opozitës për të arritur dhe për të përmbushur ato prioritete që janë kërkuar nga BE. Nuk kërkohet shumë dhe nuk e kuptoj përse përdoren kushte dhe kushtëzime. 

Më lejoni t’ju kujtoj etikën tepër të lartë të presidentit Obama. Ai, duke e kuptuar qartë se rezultati tepër i ngushtë është edhe një shenjë e përçarjes tepër të madhe që ekziston sot në SHBA, si një vend i ndarë me thikë, në dy kampe, duke kuptuar rëndësinë e kësaj përçarje të popullit dhe elektoratit amerikan, presidenti Obama bëri thirrje për sa më shumë bashkëpunim dhe propozoi që në javët në vazhdim të ulet bashkë me Mitt Romney-n për të parë se si mund të punojnë së bashku në interes të vendit sepse në fund të fundit SHBA, Evropa, por edhe e gjithë bota përballet me një krizë të paprecedentë globale e cila mund të zgjasë edhe deri në 4-5 vjet ndoshta, sipas disa analistëve. Për t’u bërë ballë këtyre sfidave, Obama i bën ftesë Romney-t për t’u ulur bashkë dhe për t’u konsultuar, pavarësisht se nuk është i detyruar ta bëjë këtë. Është një etikë e lartë qytetare e cila në Shqipëri ka munguar në histori, dhe ne si LSI po mundohemi fort që ta institucionalizojnë kulturën e politikëbërjes qytetare dhe etike në Shqipëri, ndaj duhet të marrim shembull nga SHBA.
Ralf Gjoni: Vizita e Klintonit në Tiranë - mbështetjeje Shqipërisë, apel bashkëpunimi politikës
LSI: Ti përgjigjemi inkurajimit amerikan me bashkëpunim e përgjegjshmëri politike.

I ftuar në platformat televizive të Ora News dhe ABC News, Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së Ralf Gjoni, përshëndeti ardhjen e Sekretares së Shtetit të SHBA znj. Hillary Clinton në Tiranë, si një mesazh tepër të qartë mbështetjeje nga SHBA për Shqipërinë dhe shqiptarët në këtë 100-Vjetor, por edhe si një apel të fortë drejtuar klasës politike në vend, për më tepër bashkëpunim, më tepër përgjegjshmëri, në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve në mbarë rajonin. 


Ralf Gjoni, pasi shprehu solidaritetin me familjet e viktimave të uraganit Sandy në SHBA, u shpreh se Znj. Klinton vjen në një Shqipëri të tjetërsuar nga ajo që vizitoi ish Sekretari i Shtetit James Baker më shumë se 20 vjet më parë. 

“Ndyshe nga ish-Sekretari Baker, që gjeti një Shqipëri të rrënuar, të sapodalë nga diktatura dhe izolimi, Sekretarja Klinton vjen në një Shqipëri të zhvilluar, me demokraci funksionale pavarësisht problemeve, anëtare të NATO-s, partnere të denjë të SHBA në disa operacione globale për mbarëvajtjen e paqes dhe stabilitetit, një vend që pretendon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ku qytetarët tashmë lëvizin lirisht në hapësirën Schengen, një vend me një shtresë të mesme që mbron interesat e stabilitetit politiko-ekonomik, dhe me qytetarë që kërkojnë më tepër nga politikanët e tyre” – tha Gjoni. 

Gjithashtu Ralf Gjoni shtoi: “Duke analizuar kontekstin e sfidave të krizës së brendshme ekonomike në Amerikë, por edhe të vëmendjes së zhvendosur në rajone të tjera të botës, si në Afganistan, Irak, Siri e në vendet e Pranverës Arabe, vizita e Sekretares Klinton në Ballkanin Perëndimor merr një dimension tjetër më të rëndësishëm, duke e rikthyer vëmendjen diplomatike e mediatike sërish drejt një rajoni historikisht domethënës për Evropën, dhe aktualisht të rëndësishëm për të ardhmen e saj”.

Ralf Gjoni u shpreh se vizita e Sekretares Klinton konfirmon fort mbështetjen e SHBA për popullin shqiptar, për integrimin evropian të Shqipërisë si dhe për ecurinë më të shpejtë të përmbushjes së reformave të nisura në këtë drejtim, duke ardhur në Tiranë në dy momente kyçe për vendin, atë të 100 Vjetorit të Pavarësisë dhe disa javë përpara miratimit të statusit të vendit kandidat në BE. 

Gjithashtu, Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së, theksoi se Klinton vjen në Shqipëri për të dhënë edhe një mesazh inkurajues bashkëpunimi, duke i drejtuar një apel të qartë politikës shqiptare për më tepër bashkëpunim në interes të vendit, më tepër konstruktivitet dhe më pak konfliktualitet. 

Në këtë drejtim, Ralf Gjoni konstatoi se mesazhi i Sekretares Klinton shkon paralel me mesazhet gjithnjë në vazhdim të Lëvizjes Socialiste për Integrim për eliminimin e konflikteve të pakuptimta politike, dhe lënien mënjanë të interesave personale kur bëhet fjalë për interesa madhore të vendit, siç është përmbyllja e 3 prioriteteve të mbetura përpara marrjes së vendimit për statusin e vendit kandidat në Dhjetor. 

Sekretari Ndërkombëtar i LSI Ralf Gjoni, përshëndeti gjithashtu edhe deklaratën e përbashkët të Sekretares Klinton dhe Baroneshës Ashton në Prishtinë një ditë më parë, në mbështetje të integritetit territorial të Kosovës, si një mesazh të qartë drejtuar Beogradit se realiteti tashmë në Ballkan ka ndryshuar dhe se kufijtë në rajon janë të pacënueshëm.

“Cili popull ka vuajtur më shumë se shqiptarët gjatë këtyre 100 viteve në rajon?” – u shpreh Gjoni – “dhe kush më tepër se shqiptarët ka përfituar nga proceset integruese euro-atlantike të vendeve të rajonit? Kjo falë edhe mbështetjes së fuqishme të SHBA dhe të kontributit të çiftit Klinton gjatë viteve të fundit”.

“Ndaj dhe LSI beson se klasa politike shqiptare duhet ti përgjigjet mirëbesimit të partnerëve tanë dhe mesazhit inkurajues të znj. Klinton përmes bashkëpunimit konstruktiv, rritjes së përgjegjshmërisë dhe përqendrimit në ato çështje të rëndësishme që kërkon integrimi evropian dhe e ardhmja e vendit” – u shpreh Gjoni.

PER HERE TE PARE NE SHQIPERI, DEBAT LIVE NE FACEBOOK

Nesër në mbrëmje, për herë të parë në Shqipëri, një parti politike do të organizojë një Takim Live në Facebook, me pyetje përgjigje në kohë reale.

Drejtuesit e Lëvizjes Rinore për Integrim (LRI), Endrit Braimllari dhe Kejdi Mehmetaj do të drejtojnë një debat live vetëm në Facebook, për të gjithë shqiptarët kudo që të ndodhen. Eshtë hera e parë që një debat shoqëror e politik nuk organizohet në platformat e ekraneve të televizioneve, por vetëm në internet. Gjatë këtij eventi, të rinjtë do t’u përgjigjen pyetjeve të pjesëmarrësve live për tematika të ndryshme si: mundësitë për punësimin e të rinjve, arsimin dhe pjesëmarrjen e të rinjve në politikë.

Pyetjet do të mund të dërgohen me tekst, apo me video. Të Hënën në mbrëmje, mbi 300 të rinj kishin konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këte debat, i cili fillon të Martën në orën 8, në faqen e Facebook-ut të LSI-së (https://www.facebook.com/levizjasocialisteperintegrim). Ky event live, vjen 2 ditë pas përfundimit të Konventës Kombëtare të LSI që u zhvillua në Pallatin e Sportit në Tiranë.

E pershendes kete iniciative, dhe shpresoj qe te tjera do ndjekin, jo vetem nga LSI, por edhe nga grupe te tjera politike ne Shqiperi.