Saturday, October 29, 2011

Historia e rrugëtimit të 110 pasagjerëve shqiptarë rrëfyer nga zëri zyrtar i Ministrisë së Jashtme


Përfundimisht mbaron edhe ankthi i 110 pasagjerëve shqiptarë të cilët mbrëmë u transferuan nga Bratislava për në Bolonja. Ngjarja mund të konsiderohet pa frikë si një nga incidentet e më të rënda të ndodhura në hapësirën ku fluturohet nga Rinasi për në vendet e tjera. Deklarata sporadike u lëshuan përgjatë gjithë ditës së djeshme, e që të gjitha kishin në fokus vetëm përgjegjësinë dhe fajësinë që tashmë bie mbi dy pilotë sllovakë që marrin pasagjeret e një avioni dhe i dërgojnë në tokën e vet. Mirëpo pasditen e djeshme ngjarja është shoqëruar përveç se me pak informacion edhe me një deklaratë të fortë të zërit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Shqipëri, Ralf Gjoni. Zëdhënësi i këtij dikasteri jo vetëm ka shpjeguar gjithçka kanë mundur të lëvizin autoritet e këtij dikasteri por shpjegon me detaje edhe të gjitha përpjekjet që janë bërë për të iu ardhur në ndihmë pasagjerëve në aeroportin e Bratislavës. Në rrëfimin e Gjonit shfaqet ndoshta një risi i ndërhyrjeve diplomatike për incidente të tilla me shqiptarë nëpër vende të tjera, jashtë Shqipërie edhe pse avioni kishte në bordin e tij 110 shqiptarë. Sipas zëdhënësit të këtij dikasteri qartësohet se ky incident nuk do të ketë asnjë lloj ndikimi në marrëdhënjet e mira mes dy vendeve, kjo falë edhe bashkëpunimeve dhe shkëmbimeve diplomatike mes vendit tonë dhe atij të Sllovakisë...
Shënim redaksional

Pyetje: Përshëndetje z. Gjoni. Temë kryesore e kësaj dite, ka qenë padyshim odisea e 110 udhëtarëve shqiptarë, pas një ndryshimi të destinacionit të avionit të Albanian Airlines nga Bolonja në Bratislavë. A mund ta quajmë të përfunduar odisenë e tyre?
Ralf Gjoni: Unë do të thoja që mund ta quajmë pothuajse të përfunduar. Sipas informacionit të fundit që na ka ardhur nga Bratislava, udhëtarët janë futur në avionin e posaçëm i cili është nisur tashmë nga Bratislava, pas pastrimit të pistës nga dëbora. Jemi të lehtësuar dhe të lumtur që u arrit një zgjidhje për pasagjerët, pas një odiseje të lodhshme e të tejzgjatur, si për pasagjerët, ashtu edhe për ekipin tonë të Ministrisë së Jashtme në terren, që u është gjendur pranë pasagjerëve në çdo moment gjatë orëve të natës.
Pyetje: Në fakt menjëherë pas lajmërimit të incidentit, kemi parë autoritetet shqiptare, në veçanti Ministrinë e Jashtme, tepër të angazhuar për tu gjendur pranë qytetarëve. Çfarë ka ndryshuar që MPJ vjen në ndihmë edhe në raste të tilla, gjë që nuk është vënë re më parë?
Ralf Gjoni: Në një rast të tillë ku një avion me mbi 100 pasagjerë me fëmijë brenda, niset nga Tirana për në Bolonjë, dhe përfundon në një destinacion tjetër si Bratislava, në kushte të vështira atmosferike, pa ju dhënë asnjë lloj informacioni, patjetër që na vendos përpara një përgjegjësie për tu kujdesur për ta. Nëse do të isha në vendin e tyre, do të ndjeja të njëjtën gjë. Ne si Qeveri, si shtet, si Ministri e Punëve të Jashtme, kemi një detyrim ndaj qytetarëve tanë si brenda territorit, pra për sa i përket shërbimeve që ata marrin, por kemi një detyrim edhe jashtë territorit shqiptar, kur qytetarët tanë gjenden të izoluar pa asnjë lloj ndihme dhe në vështirësi. Kush tjetër përveç shtetit shqiptar mund tu vinte në ndihmë këtyre pasagjerëve të lodhur, të stresuar e të bllokuar në Bratislavë, përveç se Ministrisë së Punëve të Jashtme?
Pyetje: Në fakt do të ishte me interes të dinim pak më tepër rreth kronologjisë së ngjarjeve.
Ralf Gjoni: Në fakt, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Meta i cili ndodhet jashtë shtetit në udhëtim zyrtar, u informua menjëherë rreth ngjarjes, dhe ngarkoi zv/ministren e Punëve të Jashtme, znj. Edith Harxhi për ta menaxhuar këtë situatë. Znj. Harxhi, pas informimit nga Drejtoria e Aviacionit Civil, menjëherë njoftoi Ambasadën shqiptare në Pragë, duke patur parasysh se Sllovakia mbulohet nga përfaqësia jonë në Pragë, e cila hyri në kontakt me autoritetet sllovake për të marrë informacion dhe për të siguruar pasagjerët shqiptarë në një sallë të ngrohtë në aeroport, në pritje të një zgjidhjeje. Por duke patur parasysh edhe largësinë gjeografike të Pragës me Bratislavën, znj. Harxhi urdhëroi nisjen e menjëhershme të të ngarkuarit tonë me punë në Vienë, z. Egin Ceka që të nisej drejt Bratislavës në mes të kushteve të rënduara atmosferike për tu gjendur sa më parë pranë qytetarëve shqiptarë. Le të kemi parasysh që Viena është shumë më afër Bratislavës se sa Praga. Do doja të theksoja gjithashtu që kemi patur një bashkëpunim shumë efikas edhe me Ambasadorin dhe Konsullin e Nderit sllovak në Tiranë, të cilët mundësuan kontaktin e drejtpërdrejtë me Ministrinë e Jashtme sllovake dhe vetë ministrin Lajçek, i cili ngarkoi një ekip të posaçëm për të verifikuar ngjarjen dhe për të siguruar asistencën e nevojshme.
Pyetje: Z. Gjoni, kush i mban përgjegjësitë për këtë incident, ekuipazhi apo kompania e fluturimit?
Ralf Gjoni: Unë mund të flas vetëm për përgjegjësitë e MPJ, që gjatë këtyre momenteve kishte të bënte me sigurinë e qytetarëve shqiptarë në Bratislavë. Por personalisht mendoj se është ende herët për të ditur arsyen e qartë. Patjetër, që autoritetet kompetente duhet të merren me hetimin e kësaj ngjarjeje dhe të gjejnë shkaktarët e saj. Por duke patur parasysh stresin, lodhjen dhe nevojshmërinë e pasagjerëve gjatë natës, për ne prioriteti ishte siguria dhe kujdesi për ta. Z. Ceka ka kaluar gjithë natën pranë pasagjerëve, duke i informuar ata për sigurimin e një hoteli nga kompania Albanian Airlines për akomodimin e tyre dhe duke ofruar kujdesin e nevojshëm për ta. Pra detyra jonë ishte të përgjigjeshim me efikasitet dhe sa më shpejt pranë qytetarëve shqiptarë, gjë që besoj fort se Ministria e Punëve të Jashtme e ka bërë në mënyrë të shkëlqyer, falë gjithashtu edhe një bashkëpunimi shumë të mirë me autoritetet sllovake të cilat iu përgjigjën kërkesës sonë. Përfitoj nga rasti ti falënderoj për këtë bashkëpunim.
Pyetje: A mund të quhet ky një incident diplomatik mes Shqipërisë dhe Sllovakisë?
Ralf Gjoni: Absolutisht që jo! Shqipëria dhe Sllovakia kanë marrëdhënie shumë të mira diplomatike. Ju ndoshta mund të jeni informuar që brenda disa ditësh, Ministri i Jashtëm z. Lajçek pritet të vizitojë Tiranën, një vizitë kjo e koordinuar prej kohësh. Ne kemi një Ambasador dhe Konsull Nderi të Sllovakisë në Tiranë të cilët, në bashkëpunim me Ministrinë, po punojnë për rritjen e shkëmbimeve tregtare e diplomatike mes të dy vendeve. Përfitoj nga rasti që të saktësoj që ky nuk ishte një problem mes dy shteteve, por mes dy kompanive private. Dhe patjetër që në këto raste, shteti ndjen një përgjegjësi zyrtare por edhe morale për tiu gjendur pranë qytetarit, gjë që ne e bëmë me përgjegjësi dhe brenda afateve kohore optimale.
Pyetje: Pati njoftime në media se kishte patur ndërhyrje nga policia sllovake për ti nxjerrë jashtë aeroportit pasagjerët. Çfarë ndodhi në të vërtetë?
Ralf Gjoni: Pati, do të thoja, disa keqkuptime mes dy tre pasagjerëve dhe autoriteteve të aeroportit për sa i përket gjuhës së komunikimit mes dy palëve. Më duhet të saktësoj që në një zonë të transitit ndërkombëtar, nuk ekziston mundësia e nxjerrjes jashtë të pasagjerëve. Përkundrazi, pati sugjerime nga autoritetet që ata pasagjerë të cilët ishin të pajisur me viza shengen, e kishin mundësinë e daljes jashtë aeroportit, sipas dëshirës dhe zgjedhjes së tyre personale. Mendoj se këtu ka ndodhur keqkuptimi, dhe se predispozita nga ana e autoriteteve ishte dashamirëse. Ju e patë vetë më vonë se nuk pati nxjerrje të pasagjerëve jashtë. Përkundrazi, me të mbërritur z. Ceka në aeroport, pas udhëtimit në mes të një stuhie dëbore, ai pati kontakt të drejtpërdrejtë me autoritetet dhe pasagjerët, të cilëve iu ofrua mundësia e akomodimit në hotel për të kaluar natën të qetë, pavarësisht se disa pasagjerë nuk dëshironin të akomodoheshin. Me sinqeritet, sot ndjehem krenar që jam pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare, për këtë menaxhim të shkëlqyer që i është bërë kësaj situate emergjence. Ishte dëshmi e qartë se kur qytetari ka nevojë, shteti përgjigjet në kohë. Besoj se me përfundimin e fluturimit në Bolonja, përfundon edhe përgjegjësia jonë ndaj qytetarëve për këtë rast.
Pyetje: A duhet të ketë penalitete për fajtorët?
Patjetër që nëse ka patur shkelje të procedurave, autoritetet përkatëse në të dy vendet, duhet të hetojnë incidentin, të gjejnë shkaqet dhe shkaktarët, dhe këta të fundit të përballen me drejtësinë e kujtdo vendi që ka përgjegjësinë konkrete. Kjo është normale për çdo vend të botës në çdo situatë ku ka shkelje. Por kjo është jashtë kompetencave të Ministrisë së Jashtme. Për ne, prioriteti kryesor ishte siguria dhe menaxhimi i udhëtarëve gjatë kohës së bllokimit në Bratislavë, gjë që besoj se e kemi bërë me gatishmëri të plotë, përgjegjësi maksimale dhe efikasitet optimal.
Intervistë e Ora Neës me Zëdhënësin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, z. Ralf Gjoni në lidhje me menaxhimin e situatës së avionit të ulur në Bratislavë nga ana e MPJ.
Marre nga Ora News

No comments: