Saturday, October 29, 2011

Ministria e Punëve të Jashtme mirëpret miratimin e Raportit të eurodeputetes Tanja Fajon nga Parlamenti Evropian

Gjatë një konference për shtyp, Zëdhënësi i Ministrisë se Punëve të Jashtme, z. Ralf Gjoni përshëndeti mbështetjen e Parlamentit Evropian për lëvizjen pa viza të qytetarëve shqiptarë në Bashkimin Evropian brenda një kohe sa më të shpejtë.

Ministria e Punëve të Jashtme mirëpret miratimin që u bë sot në Parlmentin Evropian të raportit të eurodeputetes Tanja Fajon, në lidhje me liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo rezolutë dhe deklarata që e bashkëshoqëroi atë në emër të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, e pranuar edhe nga Komisioni Evropian, është një mbështetje e fuqishme për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin.

Propozimi për përfshirjen e menjëhershme të Shqipërisë në aneksin e dytë të vendeve të cilave nuk u nevojitet vizë për në BE, sapo ajo të përmbushë detyrimet e mbetura, dëshmon për përkrahjen e gjerë dhe të fuqishme që gëzon vendi ynë për të realizuar lëvizjen pa viza të qytetarëve dhe për të avancuar bindshëm në rrugëtimin tonë evropian pa vonesa.

Në deklaratën e përbashkët theksohet qartë vullneti politik brenda institucioneve të Bashkimit Evropian për një trajtim urgjent të çështjes së vizave për Shqipërinë, pasi Komisioni Evropian të ketë vlerësuar pozitivisht përmbushjen e të gjitha kritereve të Udhërrëfyesit.

Qeveria shqiptare i siguron të gjithë partnerët tanë evropianë se ne do të përmbyllim me sukses dhe pa humbur kohë të gjitha detyrimet e mbetura në këtë proçes, dhe se angazhimi ynë do të vazhdojë të jetë po kaq intensiv në çdo etapë të marrëdhënies tonë me Bashkimin Evropian. Ministria e Punëve të Jashtme, duke vlerësuar përkrahjen e plotë të të gjitha institucioneve të Bashkimit Evropian, është e vendosur në realizimin e hapave të mbetur dhe shpreh bindjen se lëvizja pa viza e qytetarëve shqiptarë në hapësirën Shengen do të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur, brenda vitit 2010.

Publikuar ne www.mfa.gov.al on 12.11.2009

No comments: