Sunday, December 28, 2008

Arsimi shqiptar = frut luksi në buxhetin e radhës

Gazeta Shqiptare

Rrënjët e arsimit janë të hidhura, por fruti është i ëmbël, thoshte Aristoteli. Dhe si vend pa të mbjella, Shqipëria nuk ka vjelur asnjë frut të ëmbël këto 17 vjet në fushën e arsimit. Duke patur parasysh se 2009 do jetë viti i llogarive për qeverinë Berisha, le t’i vendosim përballë njëri-tjetrit premtimet dhe arritjet e ekipit të tij.

Në programin qeveritar të 2005, ekipi Berisha i premtoi Shqiptarëve një arsim cilësor dhe masiv nëpërmjet një ndërhyrjeje energjike dhe vizionare. U premtua gjithashtu se arsimi do të arrinte një “nivel Europian duke synuar që shpenzimet publike për edukimin, përfshi atë universitar, të përbënin zërin e parë në buxhetin e shtetit duke arritur në një nivel prej 5% të Prodhimit te Brendshëm Bruto” (PBB).

Por sipas projekt-buxhetit të fundit, arsimi jo vetëm që nuk përbën ‘zërin e parë’ të buxhetit por as që nuk i afrohet 5 përqindshit të PBB-së. Në fakt, arsimi është zëri i tretë pas mbrojtjes sociale (23%) dhe çështjeve ekonomike (16%), duke mbetur në nivelin mediokër prej 3,5%.

Në mesin e detit të një mijë e një të këqijave, arsimi në Shqipëri vuan nga tre sëmundje kronike – shpenzimi buxhetor i ulët në raport me PBB, financimi mediokër për kokë studenti dhe rënia e shpenzimeve për arsimin profesional. Le t’i marrim me radhë.

Së pari, sipas projekt buxhetit të qeverisë, shpenzimet buxhetore për arsimin në 2009 do të përbëjnë 3.5% të PBB-së. Analizimi më i saktë i financimit arsimor të një vendi është kur ai shihet si përqindje e PBB-së. Ky indikator merr në konsideratë kapacitetin shpenzues të shtetit duke treguar nëse arsimi trajtohet si produkt luksi apo si një nevojshmëri sociale. Në 1991, Shqipëria shpenzonte 5% të PBB për arsimin, trend ky që filloi të binte me ndërrimin e sistemit politik dhe me ardhjen e klasës së re politike të kryesuar prej ish-Presidentit Berisha. Në 1998, shpenzimet buxhetore kapnin shifrën prej 2,8% te PBB-së. Kurse në 2009, qeveria e kryeministrit Berisha do t’i akordojë arsimit 3,5% të PBB-së, shifër kjo që qëndron larg premtimit për 5% që iu bë elektoratit shqiptar në 2005. Mesatarja e vendeve të OECD, forumit ndërkombëtar të 30 demokracive të zhvilluara, është mbi 6%. Vende që i japin prioritet arsimit e tregojnë atë qartë nëpërmjet shpenzimeve buxhetore si përqindje e PBB-së. Për shembull, sipas statistikave të OECD, Danimarka shpenzon 8,5% të PBB ndërsa Norvegjia 7,7%. Edhe vendet e rajonit si Maqedonia harxhojnë shumë më tepër se ne. Ndërsa Shqipëria prej 2005, ka bërë investime minimale. Për më tepër, statistikat e 2005-2009 tregojnë se rritja e buxhetit të arsimit është rritur me një hap më të vogel se vetë rritja e buxhetit të shtetit, gjë që tregon se arsimit në Shqipëri nuk i jepet aspak prioritet, përkundrazi ai vazhdon të trajtohet ende si një produkt luksi.

Së dyti, shpenzimet për arsimin reflektojnë edhe shpërndarjen e fondeve publike për kokë studenti. Krahasimi me mesataren e OECD merr ngjyrë tjetër po të kemi parasysh se mosha mesatare në Shqipëri është 29 vjeç. Ndërkohë, mesatarja e moshës së popullsisë së vendeve të OECD është mbi 40 vjec dhe po pëson rritje nga viti në vit. Pra thënë thjesht, Shqipëria ka një përqindje të madhe të popullsisë së saj që shkon në shkollë, shumë më të madhe se vendet e tjera dhe në këtë kontekst, nevojshmëria për shpenzime buxhetore është shumë herë më e lartë. E parë nga ky këndvështrim, dhe duke patur parasysh edhe shtimin e përvitshëm të numrit të studentëve nëpër shkolla, fakt me të cilin qeveria mburret, mund të konkludojmë se shpenzimet për kokë në Shqipëri po pësojnë rënie. Pra në terma realë, studentët shqiptarë përfitojnë më pak fonde publike për kokë në 2009 se në 1991 dhe shumë më pak se sa bashkëmoshatarët e tyre në vendet e OECD apo në rajon, pavarësisht se ata kanë më tepër nevojë për arsimim. Ky është absurditeti i trishtë i politikës arsimore që i ofrohet studentit shqiptar në shekullin e 21.

Së fundmi, paçka se qeveria e ka për zemër të mburret me ‘prioritetin’ që i jepet arsimit të mesëm profesional në përputhje me tendencat rajonale të zhvillimit ekonomik të tregut të punës, ky prioritet nuk përkthehet dot në shifra. Ndërsa buxheti total i shtetit që prej 2005 ka ardhur duke u rritur, buxheti për arsimin profesional si përqindje e totalit ka ardhur duke rënë, nga 7,24% që ishte në 2005 në 6,9% në 2008. Për të tretin vit rrjesht, shpenzimet publike për arsimin profesional si dhe numri i nxënësve që përfitojnë nga ky lloj arsimimi, kanë pësuar rënie, duke dëshmuar qartë për domethënien e ‘prioritetit’ qeveritar.

Eshtë e qartë se si individët po ashtu edhe shteti përfitojnë pamasë nga arsimi. Për individët, arsimi ndikon në përmirësimin e mirëqenies së jetës duke shtuar shanset e punësimit. Për shtetin, interesi bazohet tek potenciali i rritjes ekonomike dhe tek zhvillimi i vlerave intelektuale të shoqërisë. Zhvillimi real socio-ekonomik i Shqipërisë duhet të shkojë paralel me një rritje gjigande të shpenzimeve publike për arsimin, duke mos u mbështetur kështu vetëm tek paraja e përkohshme e sektoreve si ndërtimi, por tek përgatitja afatgjatë e një brezi të ri më të kualifikuar e të përgatitur për tregun e ardhshëm Europian.

Por për qeverinë Berisha, prioriteti që i jepet arsimit ka ngecur në nivele të rëndomta retorike duke mos u përkthyer dot në shifra reale dhe duke mos prekur studentët nëpër shkolla. Shqiptarët duhet të fillojnë të bëjnë llogaritë e kësaj qeverie e t’a kuptojnë se premtimet elektorale të 2005 ishin thjesht pjesë e një retorike boshe dhe se e vetmja mënyrë që qeveria mund t’i mbulojë shifrat me baltë sot – është nëpërmjet spoteve publicitare që po i kushtojnë miliona lekë taksapaguesit shqiptar.


* Autori është një nga drejtuesit e G99-s, e cila ndërmarrë fushatën "5 %", për të rritur buxhetin për arsimin.