Thursday, August 27, 2009

QENDRUESHMERIA BOTEKUPTIMORE E NJE LIDERI


Winston Curcill thoshte se ‘çmimi i madhështisë është përgjegjshmëria’. Dhe rrallë herë kemi parë liderë të përgjegjshëm në arenën e politikës shqiptare. E ndërsa po i afrohemi kongresit të PS-së, mbledhjes së parlamentit të ardhshëm dhe krijimit të koalicionit të ri qeverisës PD-LSI, shqiptarët po përballen me akuza të panumërta brenda të majtës, të cilat kanë për qëllim largimin e vëmendjes së qytetarit nga realiteti i trishtë i humbjes së zgjedhjeve prej së majtës. Disa prej këtyre akuzave këto ditë janë lëshuar në drejtim të LSI-së dhe lidershipit të saj duke hedhur baltë mbi vendimin e anëtarësisë së konventës së kësaj force politike për të hyrë në koalicion me PD-në.

Tre, janë arsyet përse LSI duhet të hynte në koalicion me PD-në.

Së pari, për arsye pragmatizmi politik. Kjo ishte e vetmja zgjidhje me të cilën u përball LSI pas zgjedhjeve të 28 Qershorit. Pasi kandidatët e saj për deputet në të gjitha qarqet e vendit vuajtën pasojat e një operacioni të mirëfilltë e të paramenduar asgjësues nga ana e ‘bosit’ të PS-së, rezultati pas-zgjedhor ishte larg pritshmërive të LSI-së dhe të gjithë analistëve politikë në vend. Në këtë moment, LSI u përball me dy opsione: ose të tkurrej e të rrinte edhe 4 vjet në opozitë për hir të tekave infantile të Edi Ramës, ose t’i jepte një drejtim ngërcit politik që do krijohej si pasojë e krizës institucionale. E para mund të kishte pasoja të paparashikueshme, më e pakta e të cilave do të ishte kriza e brendshme institucionale dhe përballja e vendit me zgjedhje të parakohshme. Asnjë qytetar i kthjellët nuk mund t’a pranonte stërmundimin kombëtar dhe turpin ndërkombëtar që do shkaktonte ky opsion. E dyta ka të bëjë me pragmatizmin politik që i shërben më së miri interesave të gjera e integruese të vendit, duke evituar krizën e duke siguruar krijimin e një koalicioni qeverisës. Dhe një koalicion i dy forcave me filozofi të ndryshme politike është jo vetëm një normalitet në demokracitë e zhvilluara Europiane, por edhe një risi civile për Shqipërinë që prej vitesh ëndërron të integrohet në këtë Europë shumëngjyrëshe.

Së dyti, Edi Rama dhe partia e tij e meritojnë të qëndrojnë edhe 4 vjet të tjera në opozitë për shkak të papërgjegjshmërisë kombëtare që treguan gjatë zgjedhjeve. ‘Ajatollahu’ i PS-së investoi gjithcka kishte, frymën, mediat e tij, aleatët kone e financat e vjelura nga pushteti i kryebashkiakut, vetëm e vetëm që të dëmtonte LSI-në, duke siguruar përçarjen e së majtës. Rezultati zgjedhor tregon qartë se diktati i votës së popullit reflektoi bindshëm mungesën e frymëzimit dhe të besueshmërisë nga ana e Edi Ramës. Shqiptarët thjesht nuk i besuan dhe nuk e votuan një karikaturist oportunistik, i cili as që nuk guxoi të kandidonte e as të paraqiste një program të qartë elektoral para zgjedhësve. Papjekuria politike e këtij lojtari pa burrëri, të çon në konkluzionin se PS-ja nuk është drejtuar, nuk është frymëzuar…ajo është kontrolluar. Edi Rama nuk është lider, ai ka fuqi financiare për të kontrolluar eksponentët e partisë së tij, por nuk është lider, dhe kjo iu shpërblye nga mungesa e votës për të.

Së treti, koalicioni i ardhshëm qeverisës ka të bëjë me qëndrueshmërinë botëkuptimore të Ilir Metës. Them botëkuptimore, sepse lideri i LSI-së i ka qëndruar gjithnjë besnik parimeve të së majtës politike, dhe si i tillë hyn edhe në këtë koalicion të gjerë e shumëngjyrësh. Asnjë qytetar shqiptar nuk duhet të ketë dyshime mbi besnikërinë elektorale e politike të Ilir Metës dhe partisë që ai drejton. Sot ata që votuan për LSI-në ndjehen krenarë e të përfaqësuar nga vendimi politik i LSI-së për të hyrë në koalicion më PD-në, ashtu siç do ndjeheshin votuesit e PS-së nëse do kishim patur një qeveri teknike PD-PS. Kjo, sepse vota e tyre e majtë sot ka pushtet. Vota e tyre e majtë sot vlen sa 40 deputetë. Vota e tyre e majtë sot do të kushtëzojë qeverisjen e 4 viteve të ardhshëm, duke siguruar implementimin e prioriteteve programore të LSI-së dhe duke forcuar rrugëtimin integrues të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Nesër, LSI do të ketë mundësi të dalë krenare para atyre që e votuan se permes vendimeve të saj politike i shërbeu interesave të tyre afatgjata.

Pra, është më se e qartë se sot Shqipëria ka nevojë për zgjidhje e jo krizë, për pjekuri e jo qaramanë. Sot Shqipëria ka nevojë të civilizohet në sjelljen e saj politike nëse nesër dëshiron të jetë pjesë e një klubi politik ku koalicione të tilla janë normalitet, si në Gjermani, Austri apo edhe në Izrael. Sot Shqipëria ka nevojë për përgjegjshmëri kombëtare e politike në shërbim të interesave të qytetarëve të saj, të cilët më shumë se tekat e Edi Ramës, duan të kenë siguri financiare, të lëvizin të lirë në Europë e të ndjehen të sigurt për të ardhmen e fëmijëve të tyre. E pra, analizuar nga këndvështrimi i qëndrueshmërisë botëkuptimore të një lideri, vendimi për të bashkëqeverisur vendin me PD-në, është një vendim që reflekton burrërri politike e besnikëri ndaj zgjedhësve. Ndaj dhe ky vendim sot po pranohet nga shumica dërrmuese e popullit shqiptar, e po përshëndetet prej të gjithë aktorëve ndërkombëtarë si një hap përpara drejt civilizimit politik të Shqipërisë.