Sunday, March 22, 2009

Sa për kartat, e keni gabim Znj. Pack!


Nuk i besova veshëve teksa dëgjoja Doris Pack duke folur dje për kartat e identitetit.

‘Një kartë identiteti falas? Mendoj se nuk egziston në asnjë vend të botës. Aq më tepër që karta këtu në Shqipëri nuk kushton shumë’. Këto ishin fjalët e Kryetares së Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Europën Jug-Lindore. Të jetë me të vërtetë ky zëri zyrtar i Parlamentit Europian në Shqipëri? Eshtë tërësisht e papërgjegjshme për një euro-parlamentare të referencojë pasaktësi faktuale në shërbim të një argumenti të caktuar politik, dhe t’i përdorë ato për të ushtruar influencë ndaj politikës së brendshme të një vendi të vogël si Shqipëria, për më tepër që ky qëndrim i saj është tejet i anshëm politikisht dhe mbart një mungesë të theksuar serioziteti.

Do doja shumë të shihja reagimin e kolegëve të tjerë të Znj. Pack në të njëjtin delegacion, nëse do u bëhej e ditur se Kryetarja e tyre këtë radhë, dhe jo për herë të parë, e hapi gojën pa reflektuar paraprakisht dhe pa kontrolluar më parë faktet. Kush vallë ia pëshpërin në vesh faktet Znj. Pack? E them këtë sepse të prononcohesh para mediave se kartat e identitetit nuk jepen falas në asnjë vend të botës, është thjesht e pasaktë. Sa për të sqaruar euro-parlamentaren, (meqë asistentët e saj nuk i paskan bërë detyrat e shtëpisë) jo shumë larg vendit të saj të origjinës, Gjermanisë, kartat e identitetit shpërndahen falas. Bëhet fjalë për vendin fqinj, Francën, ku kartat e identitetit jo vetëm që nuk janë dokumente të detyrueshme, por shpërndahen falas për të gjitha grupmoshat e popullësisë vendase, pa dallim statusi shoqëror. Po ashtu edhe në Izrael, kartat e identitetit janë falas, paçka se ndryshe nga Franca, qytetarët izraelitë e kanë të detyruar të pajisen e t’a mbajnë gjithnjë me vete dokumentin e tyre të identifikimit. Besoj se për hir të argumentit, nuk ia vlen të përmendim këtu edhe vende si Meksika apo Kosova…

Ajo që është më absurde është pjesa e dytë e deklaratës së Znj. Pack, që në Shqipëri këto karta nuk janë të kushtueshme. E lehtë për një europiane që fiton 7000 euro në muaj, pa përmendur këtu përfitimet e tjera që ofrohen nga posti, e cila me 10 Euro që kushton një kartë shqiptare blen një grand-latte në një kafene të Brukselit, por aspak e pranueshme për nivelet e mjerueshme të realitetit shqiptar. Le t’a thjeshtojmë pak. Për një familje shqiptare me tre fëmijë e me të ardhura mujore prej 100 Euro, kostoja e tre kartave të identitetit do të përfaqësonte 30% të dietës së tyre mujore. Kurse për një familje me 8 fëmijë, do të ishte një kafshatë që s’do kapërdihej lehtë. Dhe duhet patur parasysh se të paktën 18% e familjeve shqiptare jetojnë në kushte të mjerueshme, nën nivelin e varferisë së toleruar nga Indeksi i OKBsë. Mjafton t’a krahasojmë Shqipërinë me Gjermaninë, vendin e Znj. Pack, ku kartat e identitetit kushtojnë 8 Euro, por ku rroga mesatare mujore është diku tek 2700 Euro. Pra një qytetari gjerman, i duhet vetëm gjysëm ore punë për të mbuluar koston e kartës së tij të identitetit, ndërsa një shqiptari, të paktën 6 orë. Çfarë llogjike matematikore përdor euro-parlamentarja kur shprehet se çmimi i kartës shqiptare nuk është i shtrenjtë?

Këmbëngulja e pakuptimtë e kryeministrit shqiptar këto ditët e fundit dhe amplifikimi i ofruar prej Znj. Pack për të mos i shpërndarë kartat falas, dëshmon qartazi se kemi të bejmë me një diskriminim ndaj shtresave të varfra të popullësisë dhe të rinjve shqiptarë, të cilët jo vetëm që nuk janë në gjendje të paguajnë koston e paisjes me karta identiteti, por që rrjedhimisht nuk do kenë mundësi të votojnë falas. Kjo bie ndesh me kushtetutën dhe me parimet bazë të të drejtave të njeriut, pjesë e të cilave është edhe ushtrimi i votes së lirë. Ajo që po thotë qeveria shqiptare dhe amplifikatori i saj i sotëm, Znj. Pack, është se vota jote kushton 10 Euro dhe se nëse nuk ke para, mos u pajis me dokument identifikimi, dhe mos voto! Le të votojnë të tjerët për ty!

Duke kaluar përtej argumentit të opozitës se kartat deri në 28 Qershor për ata që nuk kanë pashaportë duhen shpërndarë falas, do ishte e udhës të pranonim se është më se parimore për një shtet që e detyron qytetarin e tij të pajiset me një dokument identifikimi, t’ia shpërndajë atë falas, si një detyrim moral ndaj tij. Ndërkohë që po ndodh krejt e kundërta: kartat në Shqipëri janë shndërruar në një produkt komercial të një kompanie private, e cila ka siguruar garancinë e ligjit për shitjen e tij.

Ku e ka hallin kryeministri Berisha që refuzon me kokëfortësi dhe çfarë donte të thoshte Znj. Pack me deklaratën e saj plot me pasaktësi? A mos është kjo pjesë e llogarive të tij elektorale, ku rezulton se të rinjtë dhe shtresat më të varfëra, të cilat tradicionalisht janë të prirura të votojnë kundër partisë në pushtet, do të ishte më mirë t’u mohohej e drejta e votës? Dhe më e rëndësishme akoma…është e turpshme që përfaqësuesja e Parlamentit Europian në Shqipëri mbështet tezën e kryeministrit dështak në këto llogari të shëmtuara elektorale, duke thyer kështu parimet bazë të asnjanësisë politike që duhet të reflektojë një delegacion i mirëfilltë europian. Dikush duhet t’ia pëshpërisë në vesh këtë gjë Brukselit…

No comments: