Wednesday, June 13, 2007

TRAVESTIA PRESIDENCIALE












Dje rastisa të merrja pjesë në debatin e parlamentit britanik ku kryeministri Toni Bler dhe David Kamerun i partisë opozitare, si dhe disa prej figurave më të njohura të politikës britanike diskutonin çështjet më të rëndësishme të takimit G8. Paçka se është e disata herë që ndjek debatet parlamentare, në çdo rast dal i mahnitur nga respekti total që parlamentarët kanë për protokollin apo për kryetarin e parlamentit që kur ngrihet në këmbë nuk hap dot gojën as vetë kryeministri. Për të mos përmendur pastaj etikën e sjelljes, gjuhën e sofistikuar me të cilën komunikojnë dhe artikulojnë çështjet e ditës, thellësinë analitike të argumentimit dhe cilësinë tejet të lartë të debatit parlamentar. Dje psh, kreu i opozitës e falenderoi Blerin për kontributin e tij gjatë G8-ës.

Kthehem në shtëpi dhe në kontrast të plotë lexoj lajmet nga Tirana ku mësoj se menjëherë pas vizitës se Bushit, opozita e majtë vendos të bojkotojë turin e parë të zgjedhjes së presidentit në 20 Qershor. Një lëvizje jashtëzakonisht e gabuar, dëmtuese për ecurinë politike të Shqipërisë dhe tepër e rrezikshme, që sugjeron hapat e mëtejshëm të proçesit. Nga ana tjetër, vetëm një javë para turit të parë, Bamir Topi ende nuk ka mbledhur firmat e nevojshme për zyrtarizimin e kandidaturës së tij. Fatos Nano deri tani është i vetmi kandidat që ka bërë hapat e duhur politikë dhe mediatik për president. Kështu pra, po zyrtarizohet travestia e fundit politike që po ndodh me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm shqiptar.

Më lejoni t’ju rrëfej travestitët. Duke lënë mënjanë detajet juridike dhe kushtetuese të zgjedhjes së presidentit, vendimi i opozitës për të bojkotuar proçesin është i papërgjegjshëm dhe mbi të gjitha anti-demokratik. Bojkoti, në çdo sens të fjalës është një praktikë e pakuptimtë në një demokraci. Kur populli jep votën, ai pret nga deputetët e tij të ulen e të diskutojnë çështjet madhore në tryezën e parlamentit dhe jo para kamerave e mikrofonëve të mediave. Me këtë lëvizje të fundit, opozita dhe me në vecanti Rama, ka treguar se është tepër e lehtë të tallesh me votën dhe fatin e popullit. Ndërsa Rama prej muajsh akuzon Berishën për mungesë profesionalizmi, ai vetë shpeshherë bëhet më Berishian se Berisha duke imituar në mënyrë të shëmtuar opozitën e hershme. Njëkohësisht, ai del kundër kandidimit të Nanos duke mos propozuar asnjë alternativë zyrtare. Kjo sjellje konfliktuale ka kohë që po ndikon për keq mbi imazhin e vendit në botën perëndimore dhe në të njëjtën kohë po nënvizon gjithnjë e më tepër diletantizmin karakteristik të politikanëve shqiptarë.

Duhet kujtuar se që në momentin që mori drejtimin e PS-së, Rama e filloi karrierën e tij me kërcënime për zgjedhje të parakohshme. Ndërsa nga njëra anë kritikonte kodin zgjedhor si të papranueshëm, nga ana tjetër e shihte të arsyeshme të futej në zgjedhje të reja po me të njëjtin kod. Eshtë bërë traditë tashmë që opozitat shqiptare bëjnë opozitë diletante, duke akuzuar e kërcënuar pa ofruar asnjë alternativë politikëbërjeje në tavolinë. Kjo do të përsëritet me konfliktin e radhës që do të gatuhet mbi zjarrin e presidentit.

Megjithëse është shumë e lehtë të kritikosh Berishën, është e rëndësishme që përgjegjësia në rastin e një krize eventuale këtë radhë të mbahet edhe nga opozita, për mungesën e vullnetit për të kontribuar në zgjidhjen e klimës konfliktuale që ka marrë peng zhvillimin socio-ekonomik të Shqipërisë dhe jetën e qytetarëve të thjeshtë. Kjo etikë skandaloze politike nuk duhet toleruar më në vendin tonë, sidomos tani që Kosova ka më shumë se kurrë nevojë për ne. Këtë kam patur mundësi t’a konfirmoj me politikanë të ndryshëm në Bruksel, Londër dhe Washington të cilët janë të lidhur me Shqipërinë prej vitesh. Nuk duhet të ketë dyshim që bota po e sheh Shqipërinë si një vend travestie politike.

Por nga këndvështrimi strategjik, ajo që po duket qartë gjithnjë e më tepër është se paqartësia e të dyja anëve për çështjen e presidentit po i shërben vetëm një njeriu i cili është duke fërkuar duart në këtë moment, Fatos Nanos. Duke patur parasysh kostumin e ngjyrave konsensuale që ish-kryeministri shqiptar po na tregon kohët e fundit, është e qartë që vetëm Nano përfiton nga krijimi i konfliktit. Turi i parë duket tashmë se do jetë një dështim i plotë. Pastaj do plasin sherret nga të dyja anët me ‘kakarisjet’ e politikanëve që do kamuflohen nën petkun e retorikës së gjetjes së konsensusit duke shtruar kështu qylymin e kuq për Mesi Shpëtimtarin, presidentin e pajtimit, kandidaturën e qëndrueshme, Fatos Nanon. Ky i fundit, tepër dinak dhe i zgjuar për nga natyra, paçka se ka shkuar apo jo tre herë këtë vit në parlament, do na japë leksione se si arrihet konsensusi dhe se si pajtohen palët. Këtu pra do të thuret pazari i radhës dhe e ardhmja e errët e Shqipërisë.

Tashmë është e qartë se kjo është e vetmja mënyrë që Berisha të sigurojë vazhdimësinë e tij politike, Rama të ndalojë ndarjen e PS dhe Nano të kënaqë egocentrizmin e tij të tmerrshëm. Populli ndërkohë, do vazhdojë të qëndrojë me gisht në gojë se këtë radhë as të drejtën e votës apo opinionit nuk e ka. Sidoqoftë, populli shqiptar duhet të jetë aq i pjekur sa t’a kuptojë se klasa jonë politike është duke orkestruar zëvendësimin e periudhës së tranzicionit me një fazë tjetër, edhe më të sofistikuar se ajo e para, atë të institucionalizimit te pazarit si ‘vlerë’ të vërtetë të politikës shqiptare.

2 comments:

Anonymous said...

e paske qendisur

Unknown said...

Shume e goditur kjo Ralf.
Pergezime!