Wednesday, July 25, 2007

EKUACIONI SOCIO-EKONOMIK I TAKSËS SË SHESHTË

Gjatë javëve të ardhshme, një nga temat më të zjarrta që do debatohet përvec asaj të presidentit do të jetë implementimi i taksës së sheshtë, që njihet ndryshe si Flat Tax. Taksa e sheshtë është një nga elementët më të rëndësishëm të reformës fiskale të qeverisë Berisha e cila nuk ka ngurruar t’a prazantojë atë si formulën magjike të luftës kundër informalitetit dhe si ilacin e thithjes së investimeve të huaja, paçka se baza kërkimore e efekteve ekonomike të kësaj takse është tepër e luhatshme. Teorikisht, taksa e sheshtë nënkupton një sistem tatimor me një nivel të vetëm taksimi mbi të ardhurat personale të individit dhe mbi fitimin korporativ në rastin e të ardhurave të një biznesi. Pra në dukje, taksa e sheshtë do të thjeshtësojë tej mase sitemin tatimor nga një nivel progresiv me shkallë të ndryshme taksimi në varësi të shumës së fitimit, në një sitem të vetëm me një taksë unike mbi të gjitha të ardhurat.

Taksa e sheshtë identifikohet prej kohësh si taksa e Europës Lindore e cila tashmë është kthyer në një terren eksperimentues për disa nga teoritë revolucionare ekonomike të Perëndimit. Në 1990 aplikohej terapia e famshme e shokut ndërsa sot pionerët lindorë po flirtojnë me taksën e sheshtë. Kjo taksë filloi të implementohej për herë të parë në 1994 nga Estonia si një alternativë ndaj sistemit të komplikuar progresiv që shpeshherë është parë si një dekurajues i investimeve ekonomike të një vendi. Dhe realisht ekonomia Estoniane filloi të lulëzonte shumë shpejt, megjithëse nuk është e qartë nëse ky ishte reaultat i taksës së sheshtë. Vende të tjera si Lituania dhe Letonia iu bashkangjitën valës së nisur nga Estonianët. Më pas e aplikoi edhe Rusia, Serbia, Ukraina, Sllovakia, Gjeorgjia, Rumania dhe këtë vit edhe fqinjët tanë Mali i Zi e Maqedonia. Mes këtyre vendeve taksa e sheshtë varion nga 12% - 26%. Por Shqipëria ka vendosur t’a thyejë rekordin duke e aplikuar atë me 10%. Asnjë ekspert apo zyrtar i qeverisë nuk është në gjendje të na e shpjegojë qartë përse 10%. Ndoshta për të tërhequr vëmendjen mediatike dhe për të bërë pakëz zhurmë sic u bë me nismën Shqipëria=1 Euro. Nga ana tjetër aktorë të shoqërisë civile janë shprehur kundër taksës së sheshtë si një masë që do të ndikojë negativisht mbi shtresën më të varfër të vendit duke i dhënë prioritet të pasurve që do të pasurohen më tepër.

Qeveria argumenton se taksa e sheshtë do të ulë ndjeshëm evazionin fiskal duke inkurajuar bizneset dhe individët të deklarojnë fitimet e tyre. Gjithashtu kjo taksë do të inkurajonte thithjen e investimeve të huaja përderisa investitorët do të përballeshin me një sistem më të thjeshtë dhe më të ulët taksimi, megjithëse është e qartë se investitorët e huaj nuk rrinë larg Shqipërisë prej taksave por prej mungesës së infrastrukturës dhe instabilitetit politik. Sidoqofte, jo vetëm qeveria aktuale Shqiptare por edhe mbrojtësit e flaktë të taksës së sheshtë në të gjithë botën janë të bindur se një sitem i vetëm taksimi do të ushqente rritjen ekonomike të një vendi nëpërmjet uljes së kostos burokratike, nxitjes së gjenerimit të kapitalit dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Pra teorikisht, një sistem më efikas dhe më i thjeshtë tatimor do të siguronte rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Nga ky këndvështrim, kjo tingëllon me të vërtetë si një formulë magjike, por nga ana praktike është ende herët të gjykojmë suksesin e taksës së sheshtë në vendet lindore. Efektet afatgjatë mbi ekonominë kombëtare të një vendi duan edhe disa vite për t’u analizuar në mënyrë të plotë. Nga i gjithë blloku lindor, Rusia është ndoshta i vetmi vend që përbën një shembull pozitiv. Në 1998, të ardhurat federale të shtetit Rus përbënin vetëm 12% të prodhimit kombëtar brut (GDP) duke vështirësuar pagesat ndaj kreditorëve. Ne 2001, Rusia i sheshoi të gjitha taksat në një të vetme në nivelin 13%. Pas një viti, fitimi nga tatimi mbi të ardhurat personale pësoi një rritje prej 26% dhe rrogat u rritën me 12%. Gjithashtu ekspertët ekonomikë vunë re një rritje të deklarimit të të ardhurave personale nga shtresat më të pasura të shoqërisë. Për rrjedhojë, kjo pati ndikim pozitiv mbi buxhetin e shtetit.

Por nëse shohim anën tjetër të monedhës, ekonomistë të shumtë në botë e kundërshtojnë taksën e sheshtë si një formulë magjike për rritjen e mirëqënies së një vendi duke analizuar efektet socio-ekonomike të një sistemi të sheshtë. Në Shqipëri, aktorë të shoqërisë civile kanë shprehur rezervimet e tyre duke argumentuar se regjimi i taksës së sheshtë do të ndikojë në theksimin e pabarazisë sociale nëpërmjet zhvendosjes së barrës fiskale nga subjektet fitimprurëse tek individët, kryesisht mbi familjet me të ardhura të ulëta e mesatare. Sipas raportit të fundit të Institutit AGENDA, barra fiskale do të përjetohet rëndë nga shtresat e varfra dhe të mesme dhe për rrjedhojë do të ketë efekte negative mbi rritjen ekonomike të vendit. Në krahasim me sistemin aktual të taksimit progresiv, individët me paga deri 14,000 lekë (të reja) do të pësojnë një rritje të taksave të tyre nën rregjimin e taksës së sheshtë. Rrjedhimisht ulja e shumës së parave neto për shtresën e ulët dhe të mesme do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në kërkesën agregate në treg sepse këto dy kategori konsumatorësh janë ato të ashtuquajturit konsumatorë të masës. Pra thënë thjesht, edhe pse biznesi mund të ketë më tepër lehtësime fiskale, ai do të shesë më pak produkte tek masat blerëse që në fakt do të kenë më pak para në dispozicion për të harxhuar.

Ajo që duket qartë në mesin e kësaj mjegulle teorike, është se e gjithë klasa politike shqiptare vuan nga mungesa e aftësive profesionale në debatimin e çështjeve me rëndësi dhe me efekte afatgjatë mbi ekonominë e tregut. Nuk duhet harruar se në 16 vjet tranzicion, Shqipëria aplikoi mbrapsht terapinë e shokut, ndërtoi ekonominë e saj mbi skema të errëta piramidale duke çuar në një kolaps ekonomik dhe social të vendit dhe po vuan ende nga epidemia e pashërueshme e instabilitetit politik. Zhvillimi ekonomik dhe social i vendit është marrë peng nga personalizimi banal i politikës duke i dhënë çdo çështjeje madhore ngjyra partiake pa ofruar asnjë alternative profesionale bazuar mbi themele të forta kërkimore. Ajo që sot është më e nevojshme se kurrë është që e gjithë klasa politike Shqiptare, pa dallime partiake, t’i largohet politikave retorike dhe të tregohet më e hapur ndaj analizave të ekspertëve të shoqërisë civile e cila po tregon aftësi më të forta profesionale duke ofruar analiza tejet të vlefshme për ecurinë socio-ekonomike të Shqipërisë. Aplikimi i taksës së sheshtë duhet t’i nënshtrohet një debati të hapur të të gjithë spektrit politik e shoqëror për të arritur një zgjidhje optimale dhe afatgjatë. Vetëm një transparencë e tillë mund të japë shembullin e një qeverie që i jep prioritet konsultimit para implementimit, sidomos kur bëhet fjalë për një ndërhyrje politike që mund të rezultojë në pasurimin e të pasurve dhe në varfërimin e të varfërve.

No comments: