Wednesday, May 03, 2006

Ku janë programet Zoti Kryeministër???















GAZETA SHQIPTARE
13 Prill 2006

Diaspora, një prej kontribuesve kryesorë ndaj ekonomisë shqiptare, është lënë krejtësisht në harresë prej qeverive shqiptare të 15 vjetëve të fundit. Nëse qeveria e mëparshme karakterizohej nga një mospërfillje totale, kjo e fundit po tregon shenja inefikasiteti në marrëdhëniet e saj me shoqatat diasporike. Eshtë më se e qartë që Shqipëria nuk do të merrte kurrë frymë pa kontributin financiar të shumicës së forcës së punës që është e detyruar të fitojë jetesën e saj jashtë shtetit dhe larg të afërmve të tyre. Si e tillë, ajo duhet vlerësuar dhe duhet integruar në zhvillimin e vendit. Në fakt, qeveria Berisha na e ka dhënë fjalën. Në programin e saj ajo premton se “Për këtë brez, por edhe për brezin e vjetër të emigrantëve, të cilët kanë kontribute të jashtëzakonshme historike për vendin, qeveria përkushtohet për një integrim të tyre në jetën politike, ekonomike e sociale të vendit si dhe me po aq përkushtim edhe për të drejtat e tyre themelore në vendet ku jetojnë. ...qeveria do të adoptojë programe që emigrantët të rikthehen dhe të investojnë në vendin tyre... qeveria do të investojë për ngritjen e qendrave kulturore dhe për kryerjen e aktiviteteve të ndryshme në bashkëpunim me shoqatat e emigrantëve shqiptarë kudo që janë...

Asnjë prej këtyre premtimeve nuk do të mund të mbahet sepse ende nuk ka filluar implementimi i ndonjë programi konkret ku diaspora të ndjehet si pjesëmarrëse në jetën politike apo sociale të vendit. Përgjatë kësaj analize të shkurtër do të mundohem të provoj se këto premtime kanë ngecur në një nivel retorik dhe do parashtroj disa pika për shtytjen që i duhet bërë qeverisë në mënyrë që ajo të jetë e aftë të afrojë elementët më të përgatitur të diasporës në jetën politike, sociale dhe ekonomike të vendit.

Nuk duhet harruar që diaspora nuk është thjesht një grupim emocional i emigrantëve në vendet ku jetojnë. Ajo përfaqëson një burim të pasur njerëzor potenciali i të cilit nuk është përdorur ende në strategjitë e zhvillimit. Diaspora duhet ndarë në tre shtylla kryesore. Së pari, ajo mbart elementin individual ekonomik që garanton prurjet financiare. Ky kontribut financiar përfaqëson të paktën një të pestën (për të mos thënë shumë më tepër) e Produktit Kombëtar Brut (PNB) ose GNP në rrethet ekonomike ndërkombëtare, që në fakt është një nga treguesit kryesorë të mirëqenies së një vendi. Por si në shumë vende të tjera që kishin një varësi ekonomike nga emigrantët e tyre, edhe në Shqipëri do të vihet re që eventualisht, prurjet nga jashtë nuk do të jenë burim i besueshëm për rritjen ekonomike të një vendi. Përmirësimi i mirëqenies së vendit amë do të shoqërohet nga një tendencë uljeje të prurjeve të diasporës. Sidoqoftë prurjet e emigrantëve, që janë të karakterit individual, kanë vite që funksionojnë pavarësisht qeverive në pushtet. Infrastruktura e bankave dhe firmave private të transferimit të parave egziston dhe funksionon pa probleme të konsiderueshme. Pra në këtë aspekt, nuk kërkohet ndonjë angazhim i madh nga qeveria.

Kjo na sjell tek shtylla e dytë e diasporës, ajo e burimeve njerëzore. Janë me qindra mijëra studentë dhe profesionistë që përbëjnë një prej potencialeve më të paprekura nga Shqipëria. Këta elementë studiojnë dhe punojnë në institucionet akademike dhe profesionale më me emër në botë. Si të tillë, këta janë të gatshëm të kontribuojnë në zhvillimin e infrastrukturës institucionale të zhvillimit të vendit. Ata mund dhe duhet të afrohen pranë instancave qeveritare dhe sociale për të kthyer në vend ‘rrjedhjen e trurit’ që e ka paralizuar prej vitesh Shqipërinë. Deri më sot, egziston një iniciativë e UNDP nën emrin ‘Brain Gain’ (Thithja e Trurit) që synon tërheqjen në vend të këtyre elementëve të përgatitur. Gjithashtu Lëvizja MJAFT! u ka mundësuar shumë studentëve të vijnë dhe të ingranohen në stazhe të shkurtra nëpër institucionet publike. Në këtë pikë, qeveria është treguar e gatshme të bashkëpunojë me të tilla organizma ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile për inkurajimin e thithjes së trurit por mbetet shumë për t’u bërë.

Për një vend si Shqipëria, me një përqindje kaq të lartë të popullsisë së saj jashtë kufijve, është e turpshme që nuk egziston një ministri apo departament i veçantë që të zhvillojë një strategji dhe të ndërmarrë hapa konkretë drejt përfshirjes së diasporës në jetën sociale dhe politike të vendit. Një Shqiptar i diasporës nuk do dinte kurrë se ku të trokiste apo ku të aplikonte për t’u rikthyer ne vendin e tij. Përfshirja e këtyre elementëve intelektualë nuk po shihet si një domosodoshmëri nga qeveria aktuale dhe ka mbetur në nivele programesh të izoluara apo retorike të bukur që po rrjedhon në dekurajimin e vazhdueshëm të diasporës. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë shtohen shancet e nguljes së përhershme të këtyre elementëve në vendet e rezidencës. Duhet të ketë një strategji të qartë që të afrojë të paktën ata individë të pasigurtë që ende nuk e kanë gjetur veten atje ku jetojnë.

Shtylla e tretë e diasporës përbëhet nga strukturat organizative, qofshin këto kulturore, ekonomike apo mediatike. Si në SHBA por edhe në Angli, Itali, Greqi, Gjermani dhe dhe vende të tjera, funksionojnë shumë shoqata shqiptare që punojnë me komunitetin përkatës. Në këtë pikë, kontributi është i dyanshëm. Nga njëra anë, këto struktura ndihmojnë në promovimin e vlerave kulturore shqiptare në botë, gjë që çon në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe nga ana tjetër, ato mund të kontribuojnë në Shqipëri me investime. Këtë qeveria e di shumë mirë sepse ndryshe nuk do t’a përfshinte në programin e saj të pasur me premtime shumëngjyrëshe. Biles kohët e fundit, Ministri i Jashtëm Z. Mustafaj u takua me një grup Shqiptarësh në Londër ku kërkoi që këta individë të vinin dhe të investonin në Shqipëri ose t’i ftonin miqtë e tyre Anglezë të bënin të njëjtën gjë. Fatkeqësisht, ministri nuk la kohë për diskutim që të dëgjonte shqetësimet e Shqiptarëve në Britani të Madhe. Nuk u pyet se çfarë imazhi ka Shqipëria në sytë e një investitori të huaj. Nuk u pyet se çfarë dëshiron diaspora nga qeveria shqiptare apo se çfarë mund t’i ofrojmë ne Shqipërisë. Dhe kur mungon ky nivel kaq elementar i komunikimit, si mund të priten programe dhe investime nga qeveria shqiptare për diasporën? Nuk kemi vënë re ende ndonjë bashkëpunim konkret mes qeverisë dhe shoqatave të diasporës. Eshtë e vërtetë që strukturat e ambasadave (me sa munden) janë gjithnjë të gatshme për të na inkurajuar. Të paktën kjo është e vërtetë në rastin e Londrës, ku Ambasada Shqiptare bashkëpunon në mënyrë të vazhdueshme me shoqatat shqiptare të Britanisë së Madhe. Psh, para disa javësh Klubi Londinez i Lëvizjes MJAFT! dhe Ambasada Shqiptare mblodhën studentët shqiptarë ne Angli për të nxitur kontributin e tyre ndaj vendit amë. Por si mund të arrihet kjo pa formulimin e një politike të qartë nga ana e Tiranës apo Prishtinës? Ende nuk po vihet re ndonjë shenjë investimi financiar nga ana e qeverisë që do të mundësonte një bashkëpunim konkret me diasporën. Vallë ku të kenë shkuar paratë që duhet të ishin alokuar për pikat e programit qeveritar ku trajtohet diaspora?

E përballur me këtë inefikasitet, diaspora nuk duhet të presë shumë iniciativa nga qeveritarët por të fillojë e të organizohet vetë për t’a detyruar qeverinë shqiptare të mbajë premtimet. Nëse gjykohet nga niveli i kontributit që ajo jep për Shqipërinë, atëhere është e mundshme që strukturat e saj të ushtrojnë një lloj presioni ndaj qeverisë. Deri tani kemi parë që diaspora në Amerikë ka qenë paksa më e organizuar për sa i përket fuqisë së lobingut. Gjithashtu po vërehen iniciativa në Angli, Itali dhe Greqi. Eshtë e qartë që duhen identifikuar shqetësimet reale të diasporës dhe t’i bëhen të ditur Tiranës. Duhet gjetur mënyra e bashkëpunimit mes shoqatave të ndryshme të diasporës në botë që zëri i saj të dëgjohet më pranë qeverisë shqiptare. Përderisa qeveria shqiptare e ka hedhur hapin e parë, atë të retorikës, diaspora shqiptare duhet të hedhë hapin e dytë, atë të praktikës, duke kushtëzuar në mënyrë të vazhdueshme hapat e qeverisë në strategjinë e saj ndaj diasporës.

Sot, qeveria premton programe që do nxisin investimet e diasporës dhe investime nga ana e saj për të bashkëpunuar me shoqatat e ndryshme shqiptare të diasporës. Kjo është ‘fenomenale’ … ‘famoze’ për t’a shprehur me gjuhën e kryeministrit Berisha, por çfarë është bërë deri tani??? Përgjigja është një varg pikëpyetjesh që do të mbulonte faqet e tërë gazetës. Pra ashtu siç Ministri i Jashtëm në emër të qeverisë kërkon investime nga diaspora, po në të njëjtën mënyrë dhe me më shumë forcë i duhet kërkuar Z. Berisha: “Ku janë programet Zoti Kryeministër?”…

No comments: