Wednesday, May 03, 2006

PËRSE FRIKËSOHEN EUROPIANËT NGA SHQIPËRIA?


GAZETA SHQIPTARE

Faqja 20 - OPINION
Gusht 3, 2005


Opinionet e Europianëve ende shfaqin një ndjenjë mosbesimi ndaj Shqipërisë dhe hyrjes së saj në Bashkimin Europian. Kjo u duk qartë në rezultatet e Eurobarometrit, sistemit zyrtar të anketimit nga Komisioni Europian. Anketa e fundit botuar në muajin Korrik, analizon shumë anë të jetës së Europianëve midis të cilave edhe nivelin e aprovimit për zgjerimin e BE-së në të ardhmen e afërt. Të anketuarit nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian ishin në përgjithësi pro zgjerimit por jo ndaj të gjitha vendeve aspiruese. Dhe si për ironi, Shqipëria dhe Turqia ishin në fund të listës. Nëse afërsisht 50% e të anketuarve ishin pro pranimit të Bullgarisë dhe Rumanisë, po e njëjta përqindje ishte kundër anëtarësimit të Shqipërisë apo Turqisë në BE. Edhe Ukraina, Maqedonia, Bosnia dhe Serbia & Mali i Zi ishin para Shqipërisë. Përse vallë frikësohen Europianët nga Shqipëria?

Siç mund të shihet edhe nga tabela e Eurobarometrit 63, ndjenja positive ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së është më e lartë në dhjetëshen e sapoanëtarësuar në BE. Sidoqoftë, Shqipëria përsëri mbetet në fund. Si mund të shpjegohet kjo papërfillshmëri dhe si ka mundësi që edhe Serbia e cila mbahet si përgjegjësja kryesore e disa luftërave Ballkanike në vitet ’90 të perceptohet më pozitivisht se sa Shqipëria nga Europianët?

EuroBarometri 63 – 2005

Për secilin nga vendet e mëposhtme, a jeni në favor apo kundër anëtarësimit të tij në BE?


BE 15

Vendet
e Reja 10



Në Favor

Në Favor

Zvicër


76%

87%

Norvegji


77%

85%

Islandë


69%

76%

Kroaci


48%

72%

Bullgari


46%

70%

Rumani


43%

58%

Ukraine


41%

66%

IRY Maqedoni


40%

57%

Bosnia & Herzegovina


39%

56%

Serbi & Mali i Zi


38%

54%

Shqipëri


33%

47%

Turqi


32%

48%

Përgjigjen mund t’a gjejmë tek imazhi i keq, ose më qartë “imazhi i gabuar” i Shqipërisë në Europë, kjo për tre arsye që janë shumë të korrigjueshme: krimi i organizuar mafjoz, feja dhe mungesa e lobingut.

Së pari, që prej hapjes së kufijve në 1991, grupet mafjoze shqiptare kanë krijuar një reputacion negativ mes analistëve dhe qytetarëve Europianë për brutalitetin dhe efikasitetin me të cilin veprojnë. Aktivitetet e tyre si prostitucioni, tregëtia e drogës apo qarkullimi ilegal i emigrantëve, pasqyrohen në mënyrë të vazhdueshme nëpër mediat perëndimore, gjë kjo që për rrjedhojë krijon një imazh të keq të shqiptarëve. Duhet vërejtur që shumica e emigrantëve shqiptarë janë njerëz familjarë, punëtorë dhe qytetarë që respektojnë ligjet e vendit ku rezidojnë. Por një përqindje shumë e vogël e tyre që merren me aktivitete ilegale marrin më tepër mbulesë mediatike dhe i ulin popullaritetin shumicës dërrmuese që punon me ndershmëri për të mbajtur familjet e tyre. Ky perceptim i shqiptarëve si mafjozë dhe baronë të krimit të organizuar duhet patjetër të luftohet nga diaspora në vendet përkatëse. Një shembull i mire ka qenë këto vite organizimi i diasporës shqiptare në SHBA ku egzistojnë shumë shoqata kulturore të cilat promovojnë vlerat kulturore dhe marëdhëniet mes komunitetit shqiptar dhe shtetit ku ky komunitet punon dhe jeton. P.sh, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan me qendër në Washington DC, promovon interesat shqiptare pranë kongresin amerikan dhe grupeve të tjera politike që ushtrojnë influencë ndaj politikës së jashtme të SHBA-së. Në mënyrë të ngjashme, shumë është arritur edhe nëpërmjet mediave shqiptare (gazeta, radio e TV) dhe restoranteve e dyqaneve të tjera që janë hapur në qytete të ndryshme amerikane. Të gjitha këto iniciativa janë instrumente të fuqishme që ndikojnë shumë në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë apo Kosovës jashtë kufijve të tyre. E njëjta gjë duhet të bëhet më me shumë forcë nga diaspora shqiptare në Europë. Europianët për momentin po shohin vetëm majën e zezë të ajzbergut shqiptar. Duhet bërë e pamundura që ata të shohin shumicën e bardhë të tij.

Së dyti, perceptimi i Shqipërisë si një vend mysliman, e largon atë nga Europa. Kjo mund të çudisë shumë shqiptarë që e konsiderojnë vendin e tyre si një vend tolerant ku feja nuk ka ndonjë vend aq të rëndësishëm në shoqërinë e përditshme. Por nga bisedat e mia me analistë të ndryshëm Europianë, jam habitur nga rëndësia që i jepet këtij imazhi të vendit tone kur flitet për zgjerim të mëtejshëm. Nuk duhet harruar që gjatë viteve ’90, Shqipëria u anëtarësua tek Organizata e Vendeve Islamike, gjë që automatikisht futi Shqipërinë në të njëjtën kategori të vendeve Arabe që janë vendosur nën shënjestrën e shërbimeve sekrete Amerikane dhe Europiane për shkak të numrit të lartë të terroristëve islamikë që prodhojnë këto vende. E pra, Shqipëria megjithëse ka një nga shoqëritë më tolerante për sa i përket fesë apo ekstremizmit Islamik, fatkeqësisht ende perceptohet si një vend mysliman si Turqia, kultura e së cilës nuk do t’a lejojë atë të integrohet lehtësisht në Europën e bashkuar. Në këtë pikë, qeveria e ardhshme shqiptare mban çelësin e integrimit. Gjatë regjistrimit të ardhshëm të popullsisë të trumpetuar me aq forcë nga Berisha, kryeministri i ardhshëm shqiptar, duhet bërë patjetër edhe regjistrimi i përkatësisë fetare të Shqiptarëve duke marrë nën konsideratë edhe ateizmin si kategori të vlefshme. Për rrjedhojë, edhe tekstet shkollore dhe enciklopeditë botërore duhen rinovuar në mënyrë që përqindjet e përkatësive fetare në Shqipëri të reflektojnë realitetin në vend. Biles, duhet shkuar një hap më tej. Shqipëria ka mundësi të jape një shembull të mire në Europë si vendi me një nga rrymat Myslimane më të moderuara në botë dhe si një vend ku toleranca fetare bashkëjeton lehtë me laicitetin e shtetit. Në këtë periudhë historike kur Europa po mundohet të identifikojë rrymat e moderuara islamike në territorin e saj për t’i bërë ballë terrorizmit, Shqipëria është në pozitë shumë të fortë për t’u ofruar vendeve Europiane shembullin e një shoqërie multi-fetare dhe të një shteti laik që ka ditur t’a mënjanojë ekstremizmin fetar për vite me radhë.

Arsyeja e tretë dhe e fundit, lidhet shumë fortë me dy pikat e para. Ajo ka të bëjë me mungesën e lobingut të fortë në korridoret e politikës europiane për mbrojtjen e interesave shqiptare në BE. Gjithcka që është arritur në dobi të interesave mbarë-shqiptare në Ballkan, është rrjedhojë e pro-amerikanizmit dhe e ndihmës që na vjen përtej Atlantikut. Sidoqoftë, nëse Shqipëria dëshiron t’u bashkangjitet strukturave Europiane duke i hapur kështu derën biznesit shqiptar ndaj tregut të lire, ajo duhet të bëjë shumë më tepër për organizimin e një lobi efikas në vendet europiane. Kjo kërkon nidhmë konkrete nga shteti, veprim efikas nga ana e organizatave të shoqërisë civile, dhe një mobilizim të diasporës shqiptare në vendet përkatëse. Gjatë viteve të fundit, diaspora u la në harresë duke mos iu krijuar as e drejta themeltare e të votuarit në vendet e rezidencës. Sot, shteti shqiptar duhet të krijojë lidhje dhe bashkëpunim të fortë me diasporën që i siguron një pjesë të majme të buxhetit të tij nëpërmjet prurjeve valutore në vend. Nuk duhet lënë lobingu shqiptar vetëm në duart e qeveritarëve që shihen me skepticizëm nga strukturat politike perëndimore. Këtë punë mund t’a bëjnë shumë më mirë organizata jo-qeveritare (OJQ) si “MJAFT” në bashkëpunim me organizatat e diasporas. Sidoqoftë, shteti në këtë ekuacion politiko-shoqëror duhet të luajë rolin e mbështetësit kryesor për mbarëvajtjen e një procesi frutdhënës. Diaspora jo vetëm që ka një arsenal intelektual të çmuar por është potenciali i vetëm i Shqipërisë që mund të përmirësojë imazhin e saj në kontinentin plakë, që po na vështron shtrembër dhe me papërfillshmëri. Hartimi i një strategjie kombëtare për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në Europë, është një domosdoshmëri për integrimin e Shqipërisë në Europë dhe për përmirësimin e standarteve të jetesës së shqiptarëve. Mosveprimi i qeverisë Berisha, të cilës po i rëndojnë supet nga premtimet e shumta që i dha popullit, do të kishte pasoja fatale për jetëgjatësinë e saj. Kjo, do të nxinte edhe më tepër ajzbergun shqiptar, duke zbehur më tej aspiratat për një integrim të afërt. Le të shpresojmë që qeveria e re të ketë veshë të na dëgjojë më qartë dhe sy të na shohë ku jemi! Alooooooooooo ?!

3 comments:

Kristina Albania said...

si eshte refernca e sakte per barometrin të cilit i referohesh?

Kristina Albania said...

dhe nuk beson se do të na ndihmonte ndoj kampanje per ta ndruar "imazhin". ne jemi "outsider"-e, dhe kjo duhet te jete piknisja jone.

Anonymous said...

albania is beter indipeden state ,so beter off from "europian union " wich later you will pay the union taxes .
my opinion is: unification of COSOVO AND ALBANIA.
RIEMAIN a GOD FRIEND WITH 'EN',but
do not unite with them.
kip you finance separate,kate your
own mony(me shumice)invest in infra structure ,pay your enploy,
the same amount is west europ do.
In this way,you will bielld you country and no "europ union"