Wednesday, May 03, 2006

SHKELQIMI DHE RËNIA E KUSHTETUTËS EVROPIANE



Pasojat e JO-së Evropiane për Shqipërinë

Lion dhe Londër

GAZETA SHQIPTARE


Nga vende themeluese në vende shkatërruese. Këta janë Franca dhe Hollanda që i kanë dhënë një goditje të rëndë ratifikimit të Kushtetutës Evropiane e cila nuk mund të hyjë në fuqi pa aprovimin e të 25 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Problemi nuk qëndron tek refuzimi por tek arsyet përse qytetarët e këtyre dy vendeve themeluese të KE-së hodhën poshtë traktatin që do të thjeshtësonte funksionimin e Bashkimit Evropian. Kushtetuta e propozuar fillimisht nga Presidenti Zhak Shirak dhe më pas hartuar nën drejtimin e Valeri Zhiskard D’Estang, një tjetër ish president Francez, ka për qëllim që t’a bëjë Evropën më efikase, dinamike dhe demokratike. Pikat kyçe të këtij projekti perfshijnë heqjen e vetove të vendeve anëtare, shpejtimin e marrjes së vendimeve, krijimin e postit të presidentit dhe ministrit të jashtëm për Këshillin Evropian, zgjerimin e influencës Evropiane në botë, shkurtimin e burokracisë në proceset e Komisionit Evropian dhe rritjen e fuqisë së Parlamentit Evropian. Por Franca është bërë guri kryesor që kontribuoi në shkelqimin dhe rënien e Kushtetutës Evropiane. Të gjitha këto pika që u propozuan nga Franca u hodhën poshtë po nga Franca që në këtë mënyrë ka krijuar një situatë shumë të vështirë për të ardhmen e Bashkimit Evropian. Por kush janë njerëzit që i thane ‘JO’ Kushtetutës Evropiane dhe çfarë i shtyn ata drejt ketij qëndrimi? Çfarë domethënie ka ky qëndrim për marëdhëniet e Shqipërisë me BE?

Duke udhëtuar në Francë gjatë fundjavës së kaluar vura re se grupet politike që moblilizuan mbi 15 milionë votues t’a refuzonin kushtetutën varionin nga Partia Komuniste (e majta ekstreme) tek Fronti Nacional (e djathta ekstreme), nga Trockistët nëpër universitete deri tek më shumë se gjysma e Partisë Socialiste që drejton opozitën. Pra arsyet e Francezëve nuk i përkasin vetëm një spektri të caktuar politik por një ndjenje të përgjithshme kombëtare. Shumica e Francezëve janë mërzitur me qeverisjen e elitës politike që përbëhet nga njerëz si Zhak Shirak apo ‘shkolla e vjetër’ siç quhen ndryshe. Këta politikanë, sipas shumë votuesve, flasin me fjalë të mëdha dhe duken shumë larg elektoratit që po vuan një papunësi prej mbi 10% dhe një rënie të vazhdueshme të fuqisë së blerjes. Përvec kësaj, prapë sipas shumicës së qytetarëve Francezë, zgjerimi i Evropës në lindje dhe perspektiva e futjes së Turqisë apo vendeve Ballkanike e kanë kthyer Bashkimin Evropian në një ambient të rrezikshëm ku forca e lirë e punës nga lindja po ul pagat dhe po ju ‘vjedh’ vendet e punës. Pra nga bashkim mbrojtës është kthyer në bashkim kërcënues. Siç e thoshte edhe Gazeta Wyborcza, e përditshmja e parë Polake këtë javë me shumë ironi, ‘shkak për JO-në Franceze është bërë hidrauliku polak’. Në të vërtetë, deri tani, Franca ka patur një traditë të fortë të një shteti tepër social ku qytetarët përfitojnë nga një sistem shëndetësie falas, 6 javë pushime në vit, 35 orë pune në javë dhe një asistencë marramendase papunësie. Të gjitha këto benefite sigurohen nga një taksim shumë i lartë ndaj popullsisë. Për shkak të rënies së pozitës së Francës në tregun botëror, ky sistem kaq bujar social nuk mund të vazhdojë të mbijetojë më. Sidoqoftë, shumë e qytetarëve kanë frikë se një Evropë ku tregu liberalizohet sipas modelit Anglo-Sakson do të rezultojë në shkaterrimin e sistemit social Francez. Një Evropë e zgjeruar do sjellë ‘të huajt’ që do vijnë si ‘milingona’ për të vjedhur punët dhe të drejtat e punëtorëve Francezë. Në të njëjtën mënyrë Hollandezëve u ka ardhur në majë të hundës me kontributin e tyre të lartë ndaj buxhetit të BE dhe me rënien e standarteve të jetesës që prej kalimit në monedhën e përbashkët Euro. Zgjerimi i BE në lindje si dhe ardhja e pakontrolluar e imigrantëve të huaj, sidomos atyre myslimanë, kanë shtyrë shumicën e votuesve t’a hedhin poshtë këtë kushtetutë duke i prerë kështu përfundimisht shpresat për një ri-negociatë të traktatit.

Ajo që Francezët dhe Hollandezët kanë si emërues të përbashkët gjatë referendumeve përkatëse është shqetësimi ndaj liberalizimit të tregut ndaj lindjes si dhe ksenofobia që elektoratet shfaqin ndaj vendeve të reja apo kandidatëve për anëtarësim të ardhshëm. Kjo ksenofobi prek drejtpërdrejt të ardhmen e Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe rrezikon ndarjen e Evropës në kampe konkurruese. Nga njëra anë kemi Britaninë e Madhe që dëshiron një Evropë të tregut të lirë dhe të heqjes së barrierave ndaj tregëtisë. Për këtë arsye vendet e sapo-futura ne BE kanë të drejtë të punojnë në Angli dhe jo në Francë apo gjetkë. Britanikët mbështeten nga Spanja, Danimarka dhe të gjitha vendet e lindjes si Polonia, Çekia, Sllovenia, vendet Baltike etj. Kundër këtij modeli Anglo-Sakson qëndrojnë vende si Franca, Gjermania, Belgjika apo Italia që bllokojnë liberalizimin e plotë në emër të të drejtave sociale. Duhet theksuar këtu që këto vende kane papunësi shumë të lartë. P.sh, Gjermania dhe Franca po përjetojnë një papunësi prej 11%-12%, pra më tepër se dyfishin e Britanisë së Madhe që qëndron tek 4.8%. Kjo shpjegon edhe numrin më të madh të imigrantëve të huaj në Angli në krahasim me Francën apo Gjermaninë këto vitet e fundit. Këto kampe ishin më të dukshme edhe gjatë përplasjes së Francës dhe Gjermanisë me SHBA dhe Britaninë e Madhe para luftës së Irakut. Këtu kemi të bëjmë me Antanticistë si Britania e Madhe apo vendet e lindjes dhe në Anti-Antanticistë sic janë Franca, Gjermania apo edhe Greqia.

Prandaj edhe Shqiptarët duhet të mendohen mirë kur dëgjojnë këngët e politikanëve në Tiranë rreth integrimit Evropian. Drejt cilës Evropë duam të shkojmë ne, dhe a na mirëpret Evropa e qytetarëve të traumatizuar nga zgjerimi aktual i BE? Të gjitha arsyet e Francezëve dhe Hollandezëve që votuan ‘JO’ ndikojnë ashpër mbi të ardhmen e Shqipërisë në BE. Efikasiteti i BE, shkurtimi i burokracisë në Bruksel, liberalizimi i mëtejshëm i tregut të lirë dhe mbi të gjitha zgjerimi i ardhshëm, janë pika me interes vital për Shqipërinë. Këto do të siguronin një zë më të qartë të Shqipërisë në korridoret e BE dhe një lëvizje më të lire të prodhimeve shqiptare në tregun Evropian. Pavarësisht nga deklaratat boshe të zyrtarëve si Solana apo Salzman, realiteti mbetet i trishtë. Tashmë, çdo hyrje e re në BE do të kërkojë referendume të reja në vende kyçe si Franca dhe jo aprovime nga zyrtarë të Brukselit. Dhe kur Francezët shqetësohen për Polakët apo Çekët, nuk vihet në dyshim se si do të reagojnë ata ndaj Rumanisë, Bullgarisë apo vendeve të Ballkanit, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Çfarë po ndodh sot në Evropë nuk do të ndikojë favorshëm ndaj liberalizimit të vizave për shqiptarët apo ndaj hapjes së hapsirës qiellore për kompanitë ajrore si RyanAir apo EasyJet që kërkojnë të ofrojnë fluturime me çmime të ulta drejt Shqipërisë. Çoroditja Evropiane e shkaktuar nga Franca dhe Hollanda kërkon një zgjim të Shqiptarëve për t’u ballafaquar me realitetin dhe jo me përrallat e Brukselit. Bashkimi Evropian, siç shprehej edhe revista e mirënjohur The Economist, është bërë si Festivali Evropian i Këngës, ku vendet themeluese e kanë humbur interesin ndërsa vendet e lindjes kanë marrë stafetën e fitimit të trofeve iluzioniste. Pra cinizmi perëndimor ballafaqohet me entuziazmin lindor. Ky është një moment historik ku çdo vend, ashtu sic bëri edhe Franca apo Hollanda duhet të ecë përpara nëpërmjet zhvillimeve të brendshme ekonomike dhe jo thjesht integrimit formal në disa struktura burokratike. Sot, shprehja e famshme e presidentit amerikan Bill Klinton “It’s the economy, stupid” (ekonomia është gjithçka, o i çmendur) mbetet më realiste se kurrë për të gjithë Evropën, si brenda ashtu edhe jashtë BTE, Bashkimit të Thyer Evropian . . .

No comments: