Thursday, February 07, 2013

Jahjaga-Nikoliç: Një shuplakë për oportunistët pseudo-nacionalistë

Gazeta MAPO
Nga Ralf gjoni

Takimi historik midis Presidentes së Kosovës, Jahjaga dhe Presidentit të Serbisë, Nikoliç, duhet përshëndetur jo vetëm për kurajën politike të download (10)treguar nga të dy palët, por edhe për simbolikën e një normalizimi që po konsolidohet së fundmi mes Kosovës dhe Serbisë, falë ndërmjetësimit kushtëzues e frytdhënës të Bashkimit Europian. Të dy faktorët duhet të kuptohen qartë dhe të mos neglizhohen për nga pesha e tyre historike.

Takimi Jahjaga – Nikoliç vjen pas katër raundeve bisedimesh mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiç, dy ish-oponentë lufte, të cilët nëse do ishin takuar në fushë-betejë do e kishin eliminuar njëri-tjetrin, të paktën sipas këtij të fundit. Sot ata i japin dorën njëri-tjetrit në Bruksel, duke prodhuar një fushë dialogu dhe rezultate konkrete e të prekshme në terren, siç është marrëveshja e menaxhimit të kufirit të integruar apo hapja e zyrave përfaqësuese diplomatike, pavarësisht emërtimit në letër.

Para 10 vitesh këto zhvillime ishin të paimagjinueshme. Sot, ndërsa përgatitemi të festojmë 5-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duket një realitet pozitiv i pakthyeshëm.

Në mars 2010, Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta do të deklaronte në Beograd se vizita e tij akullthyese korrespondonte me 7-vjetorin e vrasjes së shëmtuar të një miku të dashur, Kryeministrit Zoran Xhinxhiç, një njeri që përballoi sfidat dhe kishte vizionin dhe kurajën të kuptonte rëndësinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, në frymën e integrimit rajonal dhe europian të vendeve tona.

Kjo deklaratë ishte sa e qëllimshme, aq edhe domethënëse, për shkak se vizioni dhe kuraja politike i ka munguar Ballkanit gjatë këtyre 20 viteve. Por kjo mungesë serioziteti vihet re edhe më qartë në vendet e ish-Jugosllavisë, ku përgjatë viteve rezultoi shkatërruese për popujt e rajonit. Kuraja në Serbi ka të bëjë me menaxhimin e opinionit të brendshëm publik, ndërsa vizioni lidhet ngushtë me përgjegjshmërinë kombëtare dhe reflektimin e klasës politike mbi kuptueshmërinë e realitetit në terren. Kjo e fundit, vendos fatin e të parës. Në terma konkretë, shtetarët serbë e kuptojnë shumë qartë se Kosova është e pavarur, e mbrojtur për nga integriteti territorial, dhe e pakthyeshme në atë entitet të mëparshëm që quhej Jugosllavi. Xhinxhiç e kishte kuptuar dhe pranuar këtë me kohë, ndaj kishte kurajën për të shpalosur një vizion largpamës që do e çonte Serbinë shumë më përpara, vizion ky që ishte i papranueshëm për ultra-nacionalistët dhe që i kushtoi jetën.

Shumë vite më pas, në kontekstin e një zone historike me klane politike nacionaliste të fuqishme në opinionin publik, grupime këto që kundërshtojnë fort negociatat mes dy vendeve si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë, drejtuesit përkatës të Beogradit dhe Prishtinës posedojnë mjaftueshëm kredenciale nacionaliste e patriotike për të çuar përpara një marrëdhënie të qëndrueshme e frytdhënëse e për t’u bërë ballë kritikave vendase për tradhti kombëtare.

Kuraja politike e treguar nga krerët e lartë të Serbisë dhe Kosovës ka mundësuar krijimin e një vizioni më të qartë për Beogradin dhe po rezulton në evoluimin e marrëdhënieve nga një stad ngrirjeje totale deri para një viti, në fillimin e një dialogu dhe bashkëpunimi konstruktiv, që për rrjedhojë do të gjenerojë një realitet të ri jo vetëm për të dy vendet, por edhe për të gjithë rajonin dhe qytetarët që jetojnë në të, si nga aspekti politik, ashtu edhe ai socio-ekonomik. Për këtë arsye, ky dialog mbështetet nga Tirana zyrtare dhe duhet përshëndetur e inkurajuar nga të gjithë faktorët politikë në Kosovë dhe Serbi.

Por është e qartë se formësimi i vizionit të ri të Beogradit dhe kurajës së treguar së fundmi nga të dy palët, nuk do të ekzistonte pa ‘shkopin’ dhe ‘karotën’ e BE-së, mbështetur fuqimisht edhe nga SHBA. Dhe ky rol parësor që ka marrë diplomacia europiane, për herë të parë, në uljen e konfliktit dhe rritjes së stabilitetit dhe sigurisë së një rajoni brenda kontinentit të vjetër, ka domethënien e saj historike, si për Ballkanin ashtu edhe për vetë Bashkimin Europian.

Nëse ndalimi i dhunës në ish-Jugosllavi dhe veçanërisht në Kosovë kërkoi ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, motorizuar nga SHBA, sot normalizimi i marrëdhënieve brenda rajonit të Ballkanit kërkon ‘karotat’ europiane. Perspektiva europiane e vendeve të rajonit brenda axhendës së zgjerimit të BE-së, nuk është thjesht një terminologji retorike. Po duket qartë që integrimi europian lidhet ngushtë me një marrëdhënie të kushtëzuar të Brukselit me vendet e rajonit, e cila po rezulton pozitive në terren, si për nga konsolidimi demokratik i këtyre vendeve, ashtu edhe për nga perspektiva e rritjes së mirëqenies për qytetarët.

Në rastin konkret, ndërmjetësimi i Shefes së diplomacisë europiane, Catherine Ashton mes Serbisë dhe Kosovës, ka rezultuar së pari në kanalizimin e Serbisë në rrugën e integrimit europian duke ofruar perspektivën e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, dhe në një perspektivë të qartë të liberalizimit të vizave për shtetasit kosovarë shoqëruar nga Studimi i Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe BE-së. Në të kundërt, futet në përdorim ‘shkopi’, i cili ka të bëjë me regresin apo ngrirjen e procesit të integrimit.

Që prej rënies së regjimit brutal të Millosheviçit, fuqia transformuese e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, tashmë duket se është një koncept i prekshëm dhe i pakontestueshëm.

Në këndvështrimin historik, paralelizmi institucional që del nga këto takime është shumë i rëndësishëm dhe ndoshta më domethënës se vetë substanca e marrëveshjeve të arritura nga bisedimet. Fakti që Kryeministrat dhe Presidentët e të dy vendeve takohen, pavarësisht terminologjisë juridike të përdorur nga pala serbe, është një njohje de-fakto e Kosovës si shtet dhe e përfaqësuesve institucionalë të saj nga Beogradi.

Ndaj për ne si Lëvizje Socialiste për Integrim, si parti me fokus të veçantë në perspektivën evropiane të rajonit tonë të zjarrshëm, avancimi i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës është një lajm i mirë për qytetarët e të dy vendeve, dhe një shuplakë për oportunistët pseudo-nacionalistë… kudo që ata ndodhen!

No comments: