Tuesday, February 05, 2013


Klasa politike shqiptare ia bëri të pamundur Brukselit të na e japë statusin.

Projekt-Rezoluta Came meriton mbështetjen dhe votën e LSI.




Gjatë një interviste për UTV, Sekretari Ndërkombëtar i LSI, Ralf Gjoni, shprehu qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në mbështetje të Projekt-Rezolutës për Cështjen Came, si një çështje që ka të bëjë me të drejtat e njeriut dhe jo me nacionalizmin. Gjithashtu, duke komentuar për statusin e vendit kandidat, Ralf Gjoni shprehu zhgënjimin e LSI-së me paaftësinë e klasës politike shqiptare që të votonte tre ligjet e mbetura, duke vënë në dukje se sot, fatkeqësisht, kjo klasë politike ia ka bërë të pamundur vendeve anëtare të BE-së, të votojnë pro statusit, duke e konsideruar këtë dështim si një humbje absurde e një shansi historik.

Z. Gjoni, a do të shkojnë pro rezolutës Came votat e LSI-së?

Ajo që është e rëndësishme është që ka një iniciativë për të ngritur çështjen e të drejtave të popullësisë çame në nivel legjislativ parlamentar, iniciativë që unë e përshëndes, dhe është njëkohësisht e rëndësishme që kjo projekt-rezolutë të futet në axhendën e Parlamentit dhe të konsiderohet zyrtarisht për votim. Vetëm pas kësaj mund të analizojmë dhe konsiderojmë votat që kjo iniciativë do të marrë.
LSI ka qenë e para forcë politike që e ka mbështetur çështjen çame; kujtoj këtu së fundmi edhe deklaratën ë Ministrit të Jashtëm Panariti në Athinë, i cili ngriti çështjen e të drejtave të popullësisë çame në nivel zyrtar me homologun e tij grek, si një çështje me rëndësi jo vetëm për këtë popullësi, por edhe për të gjithë shqiptarët dhe vetë Shqipërinë. Pra, ne e kemi deklaruar hapur se jemi një forcë politike që e mbështesim çështjen çame , dhe në këtë kontekst, do të habitesha nëse ne si forcë politike nuk do e mbështesnim këtë projekt-rezolutë. Pra tendenca dhe predispozita jonë është tepër pozitive për t’a votuar në momentin që ajo futet në Parlament, por miratimi i saj patjetër që nuk varet vetëm nga ne. 

Ka filluar të ndjehet edhe fryma e zgjedhjeve te 2013, dhe motorrët e partive do të ndizen së shpejti. A do të shërbente kjo si një kapital politik për zgjedhjet? Cfarë do të ndodhte nëse PD dhe PS nuk e votojnë?

Unë nuk e shoh si një çështje në interes të kapitalit politik të LSI-së, unë e shoh si një çështje tepër të rëndësishme që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, dhe jo si një çështje nacionaliste. Kemi një popullësi e cila ka disa të drejta që i ka humbur pas dëbimit nga Greqia, dhe sot ajo thjesht kërkon të drejtat e saj. Jam i sigurt që edhe Greqia, që është një vend anëtar i BE-së, do të dijë një ditë t’a vlerësojë këtë çështje në frymën evropiane, në respekt të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të respektojë të drejtat e këtyre qytetarëve të cilët penalizohen padrejtësisht. Në këtë frymë, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim e mbështet çështjen çame, sepse në këtë rast ne mbrojmë të drejtat e njeriut, jo kapitalin tonë politik.

A mendoni se kanë ndryshuar kushtet sot, në krahasim me 2004, sidomos në kontekstin e 100 Vjetorit dhe retorikës nacionaliste kohet e fundit? 

Në vitin 2004, as Lsi dhe as PDIU nuk ishin prezente ne Parlament. Sot ODIU është e përfaqësuar në Parlament, dhe kjo forcë politike ka të drejtë t’a ngrejë çështjen çame. Gjithashtu, mendoj se kushtet sot janë më të favorshme se para disa vitesh, dhe vetë fakti që vetë diplomacia shqiptare e ka ngritur këtë çeshtje më hapur sot, do të thotë që jetojmë në kohëra të ndryshme nga ato të vitit 2004. Besoj se edhe Shqipëria dhe kombi shqiptar në rajon, është më i çliruar dhe më i fortë sot, nga komplekset e të kaluarës për shkak të padrejtësive historike që janë bërë ndaj tij, dhe si të tillë, sot ne jemi në gjendje të kërkojmë të drejtat që u përkasin qytetarëve dhe bashkëkombasve tanë.

Z. Gjoni, ka informacione se disa media kanë siguruar raportin e KE, i cili ngel për të tretën herë në klasë Shqipërinë për statusin e kandidatit. Duke qenë se ju e keni në themel integrimin, a mendoni se edhe LSI duhet të bëjë një ‘mea culpa’ në këtë moment?

E para, nuk ka nevoje për informacione të fshehta nga mediat, sepse faktet janë tepër të qarta, simptomat janë tepër të qarta, për sëmundjen që vuan vendi ynë. Pra, që klasa politike shqiptare në këte vend është e sëmurë, lëngon në shtrat, dhe nuk është në gjendje të marrë përgjegjësitë historike në interes të vendit, për të kaluar ato pak ligje që na prisnin në Parlament për të marrë statusin e vendit kandidat. E kam thënë më parë këtu që populli shqiptar e meriton statusin e vendit kandidat, politika shqiptare jo!
E vërtetë që LSI e ka kauzë primare integrimin, sepse besojmë fort se integrimi evropian është e vetmja rrugë dhe e ardhme jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë kombet e tjera të rajonit. Në Evropë na takon vendi, sepse vetëm kështu mund të garantojmë të drejtat tona dhe të bashkëkombasve tanë, por edhe më tepër prosperitet, paqe dhe stabilitet për rajonin. 

Eshtë një dështim i klasës politike shqiptare, së cilës iu servir statusi. Përfitoj këtu të vlerësoj përpjekjet dhe punën e Prezencës së BE në Tiranë dhe të Ambasadorit Sequi, në mbështetje të përmbushjes së prioriteteve, vlerësoj lobimin që është bërë për Shqipërinë, siç vlerësojmë edhe gatishmërinë e Brukselit dhe të vendeve anëtare për t’a mirëpritur Shqipërinë si vend kandidat. Me të vërtetë që është bërë një punë e madhe për t’a çuar Shqipërinë drejt përmbushjes së kërkesave dhe për të bindur vendet anëtare që të votonin pro statusit kandidat. Sot, fatkeqësisht, Shqipëria ia ka bërë të pamundur vendeve anëtare të BE-së, që të votojnë pro statusit. 

A do të vazhdojë të mbetet integrimi evropian kauza e LSI, pas tre dështimeve radhazi?

Patjetër që po. Nuk do të thotë se patëm një dështim sot, që do të kemi një dështim edhe nesër. Unë besoj se nëse ne vazhdojmë ti bindim qytetarët shqiptarë që të jenë më kërkues ndaj politikanëve që zgjedhin në Parlament, kjo do të thotë që do të arrijmë t’a bindim edhe këtë klasë politike, të jetë më pozitive, më konstruktive dhe të mendojë më shumë për interesat e vendit se sa interesat e ngushta partiake. 

Më duhet të them që ka një lloj zhgënjimi jo vetëm nga ne, por edhe nga faktori ndërkombëtar me opozitën shqiptare, e cila nuk arriti ti lërë mënjanë interesat elektorale për të votuar ato tre ligje, dhe për të demonstruar një lloj bashkëpunimi më qytetar, më civik, më të pjekur, ashtu siç sillen edhe partitë në vendet e tjera evropiane, atje ku ne synojmë të aderojmë. Duket sikur Brukseli e ka dashur statusin më tepër se sa politikanët shqiptare. Sot Shqipëria tregoi se nuk është e gatshme dhe as në gjendje t’a meritojë statusin e vendit kandidat, për shkak të problemeve të brendshme.
Besoj fort se është e pafalshme dhe absurde për këtë klasë politike, që të humbiste këtë shans që iu dha vendit.

No comments: